Taravari shpalos tre pikat e programit: Presidenti të zgjidhet në Kuvend, të hiqet 20%
Kandidati i opozitës shqiptare për president të shtetit, Arben Taravari në një deklaratë për media ka paraqitur tre pikat e tij nga program për president të shtetit.
Ai kërkon që pakicat të futen në Kushtetutë, të hiqet 20% dhe presidenti të zgjidhet në Kuvend, dhe jo siç ka ndodhur deri tani, në zgjedhje me vota nga qytetarët.
“Një – synojmë që për herë të parë kandidati shqiptar të shkojë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe dy – të hapim debatin e madh rreth postit të presidentit. Siç dihet, Maqedonia e Veriut është Republikë parlamentare dhe jo Republikë presidenciale apo gjysmë presidenciale. Veç kësaj, sistemi ynë është i ndërtuar nga një marrëveshje konsensuale midis dy kombeve apo etnive më të madhe këtu në Maqedoni dhe kjo është e sanksionuar me Marrëveshjen e Ohrit në Kushtetutë. Andaj platforma ime do të ndërtohet pikërisht rreth ndërtimit të marrëveshjes konsensuale në lindjen e mendimit të Arben Xhaferit unë dhe partnerët e koalicionit synojmë që në hapjen e ardhshme të kushtetutës të përfshihen tre elemente:
– futjen e pakicës bullgare dhe pakicave tjera në Kushtetutë.
– heqjen e 20% që definon gjuhën shqipe dhe
– zgjedhjen e presidentit ta bëjë Kuvendi dhe jo përmes zgjedhjeve”, tha mes tjerash Taravari.