POLITIKATË FUNDIT

Xhaferi: Nuk diskutohet profesionalizmi i Mexhitit dhe Aliut, por dy subjekte opozitare nuk mund të ketë në Qeveri

Sipas ligjit, në Qeveri nuk mund të jenë dy subjekte opozitare dhe kjo është arsyeja kryesore pse është propozuar shkarkimi i ministrave të Shëndetësisë dhe Shoqërisë Informative dhe Administratës, Fatmir Mexhiti dhe Azir Aliu. Nuk bëhet fjalë aspak për profesionalizmin e tyre, për të cilin kam respekt të jashtëzakonshëm, tha sot para deputetëve kryeministri teknik Talat Xhaferi, duke sqaruar kërkesën e dorëzuar për shkarkimin e këtyre dy ministrave nga ASH, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Dua të përmend se propozimi për shkarkimin e ministrave nuk i referohet gatishmërisë së tyre profesionale, për të cilën kam respekt të veçantë, por sipas ligjit nuk mund të ketë dy subjekte opozitare në Qeveri dhe kjo është arsyeja kryesore pse u propozua shkarkimi.

Këta dy ministra deklaruan se do të mbështesin statusin e kryetarit të partisë, se do të veprojnë si opozitë dhe sipas ligjit nuk mund të ketë dy subjekte opozitare në Qeveri dhe kjo është arsyeja kryesore e propozimit për shkarkim”, tha Xhaferi.

Sipas Kushtetutës, kjo është e drejta ime dhe vendimin e merr Kuvendi, ka theksuar Xhaferi, i cili dje ka paraqitur kërkesën për shkarkimin e dy ministrave.

Mexhiti nga foltorja e Kuvendit përsëriti se ka punuar me ndershmëri dhe përkushtim. Përderisa nuk zhduken interesat politike dhe personale, tha ai, ky vend nuk do të përparojë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *