TË FUNDIT

Hakmarrja amerikane, u përdorën bombarduesit supersonikë B-1 për të goditur 85 objektiva në Siri e Irak

Bombardueset supersonike B-1 u ngritën nga bazat e tyre në SHBA për të nisur sulmin kundër milicisë pro iraniane dhe bazave të Gardës Revolucionare në Irak dhe Siri. Konfirmim i fuqisë së reagimit të urdhëruar nga Presidenti Biden, për sulmin që vrau tre ushtarë amerikanë në Jordani, dhe që cilësohet si më i madhi që nga operacionet e vitit 2011 në Libi.

Një paralajmërim i qartë për Teheranin, i cili deri më tani nuk është goditur në territorin e tij, për vendosmërinë e Uashingtonit për të ndaluar ndërhyrjet e ajatollahëve për të përhapur luftën e vazhdueshme në Gaza në të gjithë Lindjen e Mesme dhe më gjerë.

Sipas informacioneve të publikuara nga Komanda Qendrore, janë goditur mbi 85 objektiva, duke përdorur më shumë se 125 bomba precize. Në shënjestër u vunë qendrat e komandës dhe kontrollit, qendrat e inteligjencës, depot e raketave dhe dronëve dhe shumë objekte të tjera.

Sulmet nuk ishin në territorin iranian, por goditën bazat e Pasdaranit jashtë vendit. Duke gjykuar nga objektivat e targetuara, qëllimi ishte shkatërrimi i strukturave në vend të eliminimit të personelit ushtarak. Milicitë pro-iraniane po shënjestrojnë forcat amerikane në të gjithë Lindjen e Mesme që nga fillimi i luftës në Gaza. Ndërsa fundjavën e kaluar filluan sulmin e tyre më të rëndë, duke goditur një bazë në Jordaninë veriore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *