Kurti: Asgjë s’mund të krahasohet me Holokaustin në histori
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare në Kujtim të Viktimave të Holokaustit, kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar rolin e shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve gjatë luftës duke thënë se kjo tregon sa i fuqishëm mund të jetë vullneti i njerëzve për ta ruajtur njerëzoren edhe atëherë kur njerëzimi e arrin pikën e tij më të ulët.
Kurti, në një postim në Facebook, ka publikuar fotografi, ku shihet familja hebre Altarac e strehuar në Prishtinë mes dhjetëra hebrenjsh të tjerë më 1941-1942. “Një relikte e ruajtur nga Jasha Altarac, një hebre 7-vjeçar i strehuar bashkë me familjen në Prishtinë dhe vende të tjera duke shpëtuar kështu nga Holokausti, është ky mindil i bardhë me simbolin kombëtar shqiptar të shqiponjës në të si dhe me mbishkrimin ‘Kujtim nga Shqipnia’”, ka shkruar Kurti.
Ai ka thënë se “Po kaq faqebardhë është historia e shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët dhe si e tillë duhet kultivuar ‘Kujtimi nga Shqipnia’ dhe shqiptarët në historinë e trishtuar të Holokaustit”. “Plot 55 vjet më vonë, kur Serbia i dëboi rreth 860 mijë shqiptarë përgjatë gjenocidit në Kosovë, në maj të vitit 1999, shteti i Izraelit i priti rreth 200 prej tyre duke i strehuar si refugjatë lufte nga Kosova. Asgjë nuk mund të krahasohet me Holokaustin në histori, andaj ai duhet kujtuar dhe brezat duhen edukuar mbi të. Historia e shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët tregon se sa i fuqishëm mund të jetë vullneti i njerëzve për ta ruajtur njerëzoren edhe atëherë kur njerëzimi e arrin pikën e tij më të ulët”, ka shkruar Kurti.
“Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore (1939 – 1945), kur hebrenjtë persekutoheshin për t’u eliminuar, ndër dyert e hapura për shpëtimin e tyre ishin ato të shtëpive të familjeve shqiptare, të cilat i morën dhe i strehuan”.
“Mungesa e çfarëdo tradite të antisemitizmit ndër shqiptarë, traditat e mikpritjes dhe zakoni i zotimit të marrjes së mikut të shtëpisë në besë, si dhe të tjera rrethana sociale dhe kulturore, ishin përcaktuese që si familjet shqiptare ashtu edhe autoritetet e shtetit shqiptar, të refuzojnë të përfshihen në fushatat dhe platformat antisemite të përndjekjes e shfarosjes së hebrenjve”, ka thënë Kurti duke shtuar se “kujtojmë për të mos harruar dhe s’harrojmë për të mos u përsëritur”, ka shkruar Kurti.