Deputetja e LVV-së padit Abdixhikun, Ramën e Kica-Xhelilin, shkak deklaratat e tyre për “Rrugën A”
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli ka dorëzuar padi ndaj kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama dhe nënkryetares së LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili.
Padia është bërë për shkak të deklaratave të tyre lidhur me “Rrugën A” dhe vendimin që ka marrë Gjykata Komerciale.
“Sot jam këtu që të dorëzoj padi kundër kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, kundër kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe nënkryetares dhe deputetes Doarsa Kica-Xhelili lidhur me rastin e rrugës A dhe vendimin e Gjykatës Komerciale”, tha Pacolli.
Ajo shtoi se Abdixhiku, Rama e Kica-Xhelili kanë shpifur dhe kanë denigruar autoritetin e saj.
“Ata shpifin dhe fyejnë dhe denigrojnë autoritetin tim duke më akuzuar pa fakte. Me statuset e tyre publike kanë nxitur opinioni publik, kundër meje, kanë nxitur qytetarët e Prishtinës të reagojnë kundër meje pa pasur asnjë fakt dhe në mënyrë shumë të padrejtë. Unë pres që Gjykata ta shqyrtojë me kujdes lëndën time”, u shpreh deputetja Pacolli.
Pacolli shtoi se motra e saj ka punën e vet.
“Motra ime ka punë e vet, unë kam punën time, të dyja e bëjmë punën tonë profesionale. Ata e kanë shfrytëzuar rastin për të përfituar politikisht dhe më kanë akuzuar padrejtësisë veç pse jam motra e gjyqtares Vlora Pacolli. Ajo e ka pasur rastin e Rrugës A, ju e dini që rastet ndahen me rend. Ne presim që Gjykata të merr vendim”, tha Pacolli.