POLITIKATË FUNDIT

Bieber paralajmëron se Brukseli do të hartojë proces të ri dialogu Kosovë-Serbi: Ndoshta edhe ekip të ri

Vizita e parë jashtë Rusisë që nga nisja e luftës, Putin në Kinë për partneritet “pa kufij”
Bieber paralajmëron se Brukseli do të hartojë proces të ri dialogu Kosovë-Serbi: Ndoshta edhe ekip të ri

Profesori i Universitetit të Gracit, eksperti për Ballkanin Florian Bieber, tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund të kthehet në dinamikën që ishte para konfliktit në Banjskë më 24 shtator dhe se situata në terren, e cila është më e keqe se një vit më parë, tregon se i dërguari i Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak nuk është në gjendje ta shpëtojë atë proces.

“Nuk mendoj se mund të vazhdojmë si para Banjskës, sepse edhe pse zyrtarët europianë u bëjnë thirrje palëve që t’i kthehen dialogut, unë nuk e shoh të ketë të ardhme ky proces”, tha Bieber për FoNet.

“Nëse dialogu çon në përkeqësim dhe jo në përmirësim të marrëdhënieve, pyetja është nëse ka kuptim. Duket se nuk ka, dhe zyrtarët europianë po përpiqen t’i ulin tensionet, të presin zgjedhjet e vitit të ardhshëm për Parlamentin Europian dhe mbledhjen e re të Komisionit Europian, i cili do të ketë për detyrë ta hartojë një proces të ri dhe ndoshta një ekip të ri”, theksoi Bieber, i cili mori pjesë në Konferencën e Sigurisë në Beograd, përcjell Gazeta Express.

“Nuk besoj se Lajçak është në gjendje ta shpëtojë atë proces”, tha Bieber, duke shtuar se qëllimi është të ruhet status quo-ja dhe të mos përsëriten situata si Banjska deri në zgjedhje.

Bieber thekson se duhet obliguar Beogradin dhe Prishtinën përmes nënshkrimit të një dokumenti që të bëjnë atë që kanë premtuar në dialog brenda afateve të caktuara, e jo ta “kalojnë topin” dhe të hapin hapësirë ​​për keqkuptime të reja dhe përshkallëzim.

Sipas tij, çdo qeveri duhet të premtojë ndryshim të komunikimit të brendshëm.

“Nëse kemi një qeveri serbe që bën heronj nga ata që sulmuan Policinë e Kosovës, kjo nuk është normalizim i marrëdhënieve. Normalizimi do të thotë që nuk ka gjuhë urrejtjeje, tensione të vazhdueshme dhe hendek mes komunikimit ndërkombëtar dhe atij të brendshëm”, potencoi Bieber.

Jam i bindur, shtoi ai, se BE-ja do t’u kërkojë të dyja qeverive “të komunikojnë dialogun me qytetarët”.

Bieber shton gjithashtu se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka humbur rastin për t’ua shtrirë dorën serbëve në Kosovë, veçanërisht atyre në veri dhe nuk i ka marrë seriozisht si aktor politik.

“Lista Serbe nuk është një organizatë politike që vepron në mënyrë të pavarur nga Beogradi, gjë që nuk është e lehtë për Kurtin, por megjithatë ai e humbi mundësinë për ta hapur komunikimin me serbët në veri, gjë që hapi derën për përshkallëzim”, tha ai.

Bieber theksoi se të dyja palët janë fajtorë për përshkallëzimin dhe mungesën e komunikimit, dhe përshtypja, sipas tij, është se serbët nga Kosova nuk janë mjaftueshëm të përfshirë në proces, që zëri i tyre mezi dëgjohet dhe që shqetësimet e tyre nuk merren parasysh as në Serbi dhe as në Kosovë.

Kur bëhet fjalë për kërkesat që Serbia të vendos sanksione kundër Rusisë, Bieber tha se nuk sheh presion nga BE-ja që Beogradi për këtë çështje.

“Ata u pajtuan me faktin se Serbia nuk do ta bëjë këtë, dhe ata morën diçka tjetër – Beogradi dërgon armë dhe municion në Ukrainë. I përshtatet të gjithëve dhe nuk pres më shumë presion, nëse nuk ndodh diçka dhe nuk ndryshon dinamika e Rusisë dhe Ukrainës”, tha Bieber.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *