BOTATË FUNDIT

Washingtoni i jep miratimin Danimarkës dhe Holandës për t’i dhënë Ukrainës avionët luftarakë F-16

Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë miratimin Danimarkës dhe Holandës që t’i dërgojnë Ukrainës avionë luftarakë të tipit F-16, sipas zyrtarëve. Nuk është e qartë se kur mund të bëhet dërgesa në Ukrainë, e cila prej kohësh ka kërkuar avionë luftarakë të tipit F-16 për të përballuar epërsinë ajrore të Rusisë.

Në një shkrim në rrjetin social X, i njohur më parë si Twitter, Ministri i Jashtëm holandez Wopke Hoekstra tha: “E mirëpresim vendimin e Uashingtonit për të hapur dritën jeshile për dërgimin në Ukrainë të avionëve luftarakë F-16”.

Dërgimi i avionëve duhet të miratohet nga Shtetet e Bashkuara sepse janë prodhim amerikan. Pilotët ukrainas duhet t’i nënshtrohen një procesi të fortë trajnimi përpara se avionët t’i dërgohen Kievit.

Më herët të premten, Ukraina u përpoq të ndërmerrte një sulm me dron në Moskë, por forcat ruse e rrëzuan mjetin ajror pa pilot. Mbeturinat e dronit ranë mbi një qendër ekspozitash që ndodhet më pak se 7 kilometra nga Kremlini. Kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, shkruante në rrjetin Telegram se mbetjet e dronit “nuk shkaktuan dëme të konsiderueshme”.

Ministria britanike e Mbrojtjes tha të premten se Rusia ka botuar një tekst të ri të historisë ruse për shkollat “në rajonet e pushtuara të Ukrainës dhe për të gjithë Federatën Ruse”, që do të përdoret duke filluar nga shtatori. Ministria shkruante në rrjetin X, se “qëllimi i Rusisë është të krijojë një hapësirë informacioni pro-Kremlinit në rajonet e pushtuara, në mënyrë që të gërryejë identitetin kombëtar ukrainas”.

Ukraina tha të enjten se falë kundërofensivës së saj kishte arritur të rimerrte pjesë të territorit të kontrolluar nga Rusia në pjesën juglindore të vendit, duke i larguar trupat pushtuese përtej fshatit të sapoçliruar, Urozhaine.

Ky zhvillim është pjesë e një përpjekje për të avancuar drejt detit Azov, me qëllimin për të çarë agresorët rusë.

Urozhaine, në rajonin lindor të Donetskut, është fshati i parë që Kievi tha se kishte rimarrë që nga 27 korriku, në atë që ka rezultuar të jetë një luftë e vështirë në një territor me mina të shumta, të kontrolluar nga Rusia.

Fshati Urozhaine shtrihet pak më shumë se 90 kilometra në veri të detit Azov dhe rreth 100 kilometra në perëndim të qytetit të Donetskut./VOA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *