SPORTITË FUNDIT

Pesë rregulla për të ndryshuar futbollin, Henry bën propozimin interesant

Ish-sulmuesi i Barcelonës e Arsenalit, Thierry Henry ka propozuar 5 rregulla që sipas tij do të ndryshonin futbollin, për ta bërë atë më interesant dhe tërheqës për njerëzit.

Duke folur për mediat amerikane, francezi pranoi se ka disa faktorë që shpesh e shndërrojnë në të mërzitshme një ndeshje futbolli, duke nisur nga vonesat e lojës.

“Unë jam kundër vonesave të lojës dhe do të doja që si në regby, skuadrat që ‘refuzojnë’ të luajnë, të ndëshkohen me një goditje dënimi 25 metra larg zonës. Gjithashtu do të më pëlqente që skuadrat të shpërbleheshin me një pikë më shumë për çdo tre gola të shënuar, në mënyrë që të motivohen të kërkojnë golin nga fillimi në fund”, tha francezi.

Henry nuk u ndal me kaq, pasi bëri edhe tre propozime të tjera, që kanë të bëjnë me arbitrat, drejtorët sportivë dhe zëvendësimet.

“Arbitrat është mirë të kenë mundësi të dalin para mikrofonit në përfundim të ndeshjes, ku të diskutohen gabimet, apo të përgëzohen nëse kanë bërë mirë. Gjithashtu duhet një kohë prove në merkato, pasi shoh që harxhohen shuma të mëdha parash për lojtarë që nuk ambientohen asnjëherë në skuadrat e tyre të reja. E fundit, do të doja aplikimin e zëvendësimit të përkohshëm, për lojtarët që kanë probleme fizike”, tha Henry.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *