E akuzoi se për 4 vjet i shpenzuan 4 milionë euro në rrjete sociale, VV i përgjigjet i PDK-së
Lëvizja Vetëvendosje ka mohuar deklaratat e deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, i cili ka deklaruar të mërkurën në Pressing të T7 se ”VV-ja gjatë periudhës 2017-2021 ka shpenzuar 4 milionë euro për rrjetet sociale“.
Aludimet e Tahirit lidheshin me deklaratat e tij që ”fushata e VV-së mund të jetë financuar nga mjetetet financiare të Martin Berishajt“.
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje Arlind Manxhuka ka thënë se akuza e deputetit të PDK-së vjen pikërisht në kohën kur u raportua se kjo parti opozitare shpenzon mjete financiare për rrjetet sociale.
”Deputeti me shurdhues mendon se gjithçka është e bleshme me para, anadaj dhe bën këso konstatimesh tërësisht të pavërteta. Kjo deklaratë e tij vjen pikërisht në kohën kur doli lajmi se ky subjekt shpenzon mijëra euro për reklama në Facebook, me kujdes të veçantë sponzorizimin e postimeve kundër qeverisë”, ka thënë Manxhuka.
”Por, edhe me këto postime të sponzorizuara shpresoj ta kenë mësuar një gjë, se legjitimiteti dhe kredibiliteti as nuk sponzorizohen e as nuk blihen“, shton ai.
Çka tha Tahiri?
Abelard Tashiri, deputeti i PDK-së, ka akuzuar VV-në për miliona euro të shpenzuara në rrjete sociale.
Sipas tij, kjo ka ndikuar që rrjetet sociale “të pushtohen” nga VV, duke ndikuar diskursi publik.
“Një mik i joni i jashtëm e ka bërë një vlerësim të rrjeteve sociale të Lëvizjes Vetëvendosje dhe nga viti 2017 e deri në vitin 2021. Dyshojmë që për katër vjet kanë shpenzuar 4 milionë euro në platformat rrjetet sociale.” – ka deklaruar Tahiri.
“Një faqe me kryeministrin shkonte 300 mijë për një ditë. Ne kemi të drejtë të dyshojme se ato mjete financiare kanë shkuar për fushatën e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka deklaruar ai.
Rrjetet sociale – faktor
Shumica e deklaratave të politikanëve shqiptarë sot plasohen në rrjetet sociale, prej tyre rrjedhin edhe replikat si dhe lajmet online.
Më të popullarizuara janë grupet e mbyllura, ku simpatizantët e partive politike postojnë fotografi e video mbështetëse.
Nuk është hera e parë që në diskursin publik trajtohet çështja e rrjeteve sociale. Partitë politike shpesh akuzojnë njëra tjetrën që “paguajnë njerëz për profile fake në mënyrë që të linçojnë kundërshtarët politikë”.
Rrjetet sociale Facebook, Instagram, por edhe të tjera mundësojnë investimin për rritjen e lexueshmërisë ose shikueshmërisë së postimeve.