Rriten tensionet në Nagorno-Karabak
Azerbajxhani njoftoi të dielën se kishte vendosur një pikë kontrolli në të vetmen rrugë kalimi në rajonin e kontestuar të Nagorno-Karabakh, një veprim që u pasua pas pretendimeve për të shtëna në kufi si gna forcat azere dhe ato armene.
Nagorno-Karabakh, njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por rajoni me një popullsi prej 120 mijë banorësh, kryesisht armenë etnikë u shkëput nga Bakuja në një luftë në fillim të viteve 1990.
Azerbajxhani tha se kishte krijuar një pikë kontrolli në rrugën që të çon në Karabak, një hap që tha se ishte thelbësor për shkak “se Armenia e përdorte rrugën për transportin e armëve”.
Armenia tha se ngritja e pikës së kontrollit në urën Hakari në korridorin Lachin ishte një shkelje e rëndë e marrëveshjes së armëpushimit të vitit 2020, e cila i dha fund luftës së atij viti.
Autoritetet armene i bënë thirrje Rusisë të zbatojë marrëveshjen, e cila thotë se korridori Lachin, e vetmja rrugë në territorin e Azerbajxhanit që lidh Armeninë me rajonin e kontestuar të Nagorno-Karabakut, duhet të jetë nën kontrollin e paqeruajtësve rusë.
Qeveria e Shteteve të Bashkuara tha se ishte “thellësisht e shqetësuar” nga veprimi i Azerbajxhanit që vendosi pikën e kontrollit në të vetmen rrugë tokësore për në rajonin e kontestuar të Nagorno-Karabakut, duke thënë se kjo minon përpjekjet drejt paqes në rajon.
Departamenti Amerikan i Shtetit tha gjithashtu se duhet të lejohet lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave në korridorin e Lachin dhe u bëri thirrje të dyja palëve të rifillojnë bisedimet e paqes./VOA