Fatmir Limaj akuzon Kurtin për ndërhyrje në zgjedhjen e kryeprokurorit: Është atakuar Kushtetuta
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e ka akuzuar kryeministrin Kurti se ndërhyu në Kushtetutë e ligj me fjalimin e sotëm në Kuvend.
Sipas Limajt, Kurti madje është përpjekur të ndërhyjë në kompetenca ligjore që s’i takojnë.
“Ka bërë ndërhyrje të Kushtetutës dhe të ligjit. Njerëz për deklarime të tilla ku ndërhyjnë në kompetenca është tejkalim i obligimeve ligjore. Kryeministri nuk e mbron Kushtetutën, këtë nuk po e kuptojnë, ai e zbaton. Mbrojtëse një pjesë është presidentja, ndërsa pjesën më të madhe Gjykata Kushtetuese”, tha ai në T7.
“Drejtësia, sistemi gjyqësor në Kosovë, lëngon pikërisht për shkak se kemi një prokurori e cila nganjëherë s’don, nganjëherë s’din, e shpeshherë edhe të dyjat”, me këto fjalë ndër të tjera, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot zgjodhi foltoren e Kuvendit të Kosovës për të sulmuar haptazi Prokurorinë.
Mllefi i Kurtit ndaj Prokurorisë shpërtheu edhe me kryeprokurorin, Blerim Isufaj, dekretimi i të cilit tash e sa muaj ka mbetur pezull nga ana e presidentes së vendit.
Kreu i ekzekutivit tha se disponimi negativ politik ndaj Qeverisjes së tij, dhe jo vetëm atij si Kryeministër, lidhet pikërisht me figurën e Isufajt.
Kryeministri i vendit lëshoi një varg sulmesh në drejtim të kryeprokurorit Isufaj, duke thënë se ai nuk e ka të fituar asnjë rast në gjykatë, dhe sipas tij, Isufaj e ka treguar më parë që rastet që kanë qenë vetëvrasje i ka cilësuar vrasje, dhe ato që kanë qenë vrasje, si vetëvrasje.