Arrestimi i Kryeshefit të KEK-ut, LDK: Drejtësia s’ka pse t’i frikësohet Albin Kurtit
Lidhja Demokratike e Kosovës nga kërkuar nga institucionet e drejtësisë që me këmbëngulje t’i shkojnë deri në fund hetimit në KEK. Një ditë pas arrestimit të kryeshefit të këtij institucioni, Nagip Krasniqi, i dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, LDK ka deklaruar se drejtësia s’ka pse t’i frikësohet kryeministrit Albin Kurti.
Sipas anëtarit të kryesisë së LDK-së, Visar Azemi, korrupsioni milionësh në tregtimin e energjisë elektrike ku përfshihen miq e bashkëpunëtorë të Kurtit duhet zbardhet.
“Prokuroria dhe krejt organet përgjegjëse duhet me këmbëngulje t’i shkojnë deri në fund hetimit. Të gjitha këto dyshime për skandale e korrupsion milionësh ku përfshihen miq e bashkëpunëtorë të Kurtit, duhet të zbardhen. Drejtësia s’ka pse i frikësohet Albin Kurtit”, ka thënë ai në një konferencë për media.
Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, është arrestuar të mërkurën pas bastisjeve në zyrën në KEK si dhe në banesat e tij.
Prokuroria Speciale ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”.