Albert Kinolli flet pasi Kushtetuesja ia rrëzoi kërkesën: S’jam i kënaqur, por na mbetet me i besu Gjykatës
Ish-deputeti Albert Kinolli është deklaruar pasi Gjykata Kushtetuese e rrëzoi kërkesën e tij.
Në një lidhje direkte për Frontal të T7, Kinolli ka thënë se s’është i kënaqur me këtë vendim, por se vendimete e Kushtetueses janë të pakontestueshme.
“Ende se kam marrë vendimin zyrtar. Ne e dimë që vendimi i Kushtetueses është i pakontestueshëm. S’jam i kënaqur me këtë vendim, por neve na mbetet me i besu Kushtetueses. Kemi pas fakte dhe argumente të forta, por kërkesa ime është refuzuar”, ka thënë Kinolli për T7.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur sot lidhur me kërkesat e ish-deputetëve Albert Kinolli dhe Veton Berisha, lidhur me vlerësimin e kushtetushmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme. Në rast se Kushtetuesja do të merrte parasysh pretendimet e tyre atëherë mund të afektohej edhe pozita e Presidentes, është vlerësuar nga njohës të drejtësisë.
Kërkesën e Kinollit e ka deklaruar si të papranueshme, derisa atë të Veton Berishës e ka deklaruar të pranueshme për shqyrtim në merita.
Berisha dhe Kinolli pretendonin se mandatet e tyre janë marrë nga disa shkelje të mëdha në zgjedhjet e fundi të përgjithshme. Sipas tyre, Iniciativa Rome ka arritur t’ua zë vendin në Kuvend me ndihmë të votave të serbëve të instruktuar nga Lista Serbe.
Sipas Kushtetueses, aktgjykimi i Supremes nuk e ka cenuar të drejtën e Berishës për t’u zgjedhur në Kuvend pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit 2021 si dhe ka konstatuar që ky Aktgjykim nuk ka efekt prapaveprues dhe që në bazë të parimit të sigurisë juridike, nuk afekton të drejtat e palëve të treta.
Thelbi i konstatimit të aktgjykimit është se “Vota në Republikën e Kosovës është personale, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë. Vota nuk mund të anulohet/shpallet e pavlefshme bazuar në përkatësi etnike të votuesit“.
“Gjykata, njëzëri, ka vendosur që (i) kërkesën e parashtruar nga PREBK, të deklarojë të papranueshme, si rezultat i mosshterimit të mjeteve juridike të përcaktuara me ligj; dhe (ii) kërkesën e parashtruar nga PLE, të deklarojë të pranueshme për shqyrtim në merita; ndërsa, me shumicë, ka vendosur që (iii) të konstatojë që Aktgjykimi [AA.nr.29/2021] i 12 marsit 2021 i Gjykatës Supreme nuk ka cenuar të drejtën e parashtruesit të kërkesës, përkatësisht PLE-së, për t’u zgjedhur në Kuvend pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit 2021, sipas paragrafit 1 të nenit 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës në lidhje me nenin 3 (E drejta për zgjedhje të lira) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (iv) të konstatojë që ky Aktgjykim nuk ka efekt prapaveprues dhe që në bazë të parimit të sigurisë juridike, nuk afekton të drejtat e palëve të treta. Aktgjykimi do të plotësohet me mendim konkurrues”, thuhet në njoftim.