Bugajski flet për një plan të Perëndimit në dëm të Kosovës: Do të shkaktojë konfIikte të reja në rajon
Washingtonit, me sa duket, i kanë mbaruar idetë e besueshme për zgjidhjen e konflikteve të reja në rajon. Në vend që ta pengojnë pan-serbizmin dhe t’i frenojnë ekuivalentët kroatë dhe shqiptarë, disa zyrtarë besojnë me naivitet në një lloj “multipolarizmi” rajonal në të cilin shtetet më të vogla janë në varësi të politikave të fuqive më të mëdha rajonale”, thotë Janus Bugajski, bashkëpunëtor i lartë në Fondacionin Jamestown në Washington në një intervistë për Danas.
Bugajski së fundmi ka shkruar në mediumin kroat Istraga se deri më tani janë propozuar plane të ndryshme për zgjidhjen e konflikteve, duke përfshirë shkëmbimin e territoreve dhe rregullimin e kufijve për të ndërtuar shtete më homogjene etnikisht, por pa asnjë sukses mes frikës se kjo mund t’i përshpejtojë konfliktet e reja të armatosura.
Pavarësisht kësaj, shkruan Bugajski, zhvillimet gjatë vitit të kaluar tregojnë se Washingtoni dhe Brukseli mund ta kenë hartuar një plan për një zgjidhje të re rajonale – një plan trepalësh që synon ta shpërblejë Beogradin, Zagrebin dhe Tiranën me ndikim politik dhe ekonomik mbi shtetet fqinje më të dobëta dhe kontrollin më të drejtpërdrejtë mbi popullsinë përkatëse në vendet fqinje. Këtu ai e përfshin edhe planin për krijimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe në Kosovë, që thotë se “i favorizon nacionalistë serbë”.
Sipas planit, shkruan ai, Serbia do ta dominonte në masë të madhe entitetin serb në Bosnjë e Hercegovinë, edhe pa ndarje dhe aneksim formal.
“Nacionalistët serbë dhe kroatë mund t’i paralizojnë së bashku institucionet e Bosnjë-Hercegovinës… Nëpërmjet aleatëve dhe përfaqësuesve të tij, Beogradi gjithashtu do të autorizohej të kryente serbizimin e Malit të Zi me ndihmën e Kishës Ortodokse dhe përfaqësuesve nacionalistë serbë në parlament dhe qeveri”.
Bugajski thotë se treguesit e qartë të këtij “plani trepalësh” të Washingtonit dhe Brukselit janë edhe presionet që serbëve t’iu jepet një lloj autonomie në Kosovë.
“Një plan i tillë është evident në manipulimet zgjedhore në BeH, presionet për vendosjen e autonomisë politike serbe në Kosovë dhe tradhtinë ndaj liderit më besnik properëndimor, Milo Gjukanoviq në Mal të Zi. Një plan i tillë do të shkaktojë konflikte të reja që mund të çojnë në konflikte të armatosura sepse boshnjakët, malazezët dhe kosovarët do ta shohin atë si një përpjekje për ta eliminuar shtetësinë e tyre dhe për ta ngushtuar identitetin e tyre kombëtar”, thotë ai.
Ai ka thotë se duhet shpresuar që zyrtarët e lartë amerikan, përfshirë ambasaodrin e SHBA-së në Serbi “po përgatiten për beteja të reja politike në rajon”.
“Le të shpresojmë që Escobar, Hill, Chollet dhe zyrtarë të tjerë po përgatiten për beteja të reja politike në rajon, sepse reagimi i tyre i dobët ndaj agjendës së Vuçiqit dhe Dodikut do ta stimulojë oreksin e Beogradit dhe Banja Lukës”, thotë Bugajski.
Lidhur me zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi që do të mbahen më 11 qershor, Bugajski tha se mund të pritet ndikim më i hapur dhe më i fortë i Serbisë dhe Rusisë atje.
“Absolutisht, pasi blloku pro-serb dhe liberalët sylesh në Mal të Zi janë të vendosur të hakmerren politik ndaj DPS-së”, thotë ai.
“Blloku pro Beogradit dhe pro-Moskës kërkon të ndryshojë shtetësinë e Malit të Zi, anëtarësimin në NATO, njohjen e Kosovës dhe sanksionet kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë”, shton Bugajski.
Në vitet e ardhshme, Bugajski thotë se “Mali i Zi do të jetë një fushë beteje midis mbështetësve të pavarësisë dhe mbrojtësve të botës serbe dhe ruse”.