Mosgatishmëria e Abazoviqit për rishikimin e demarkacionit, a është kjo arsyeja pse Haradinaj s’e takoi Kryeministrin malazez?
Kryetari i AAK’së Ramush Haradinaj ka refuzuar ta takojë kryeministrin me mandat teknik të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, gjatë vizitës së tij zyrtare në Kosovë, edhe pas kërkesës për takim që kishte marrë nga qeveria malazeze.
Gazeta Express ka konfirmuar përmes burimeve brenda AAK’së se arsyeja për këtë refuzim ishin ndasitë në qëndrime mes ish-kryeministrit Haradinaj dhe Abazoviqit për çështjen e demarkacionit dhe marrëveshjen e nënshkruar me Kishën Ortodokse Serbe.
Abazoviq më herët kishte deklaruar rreth demarkacionit se kjo çështje mes Kosovës dhe Malit të Zi kishte marrë fund.
“Në këtë moment nuk e shoh atë mundësi, as dikush në Mal të Zi atë nuk e trajton si problem. Për Mal të Zi, ajo është çështje e mbyllur në momentin kur është nënshkruar”, ka thënë Abazoviq në Klan Kosova më parë.
Qëndrimi i Abazoviqit – ndryshe nga ai i ish-presidentit malazez Gujakonoviq – për të mos e rishikuar demarkacionin, i cili ishte rafitikuar në kohën sa Haradinaj ishte kryeministër, është ndasia mes Haradinajt dhe Abazoviqit, sipas këtij burimi.
Ky i fundit në vizitën e tij në Kosovë ka takuar presidenten Osmani, kryeministrin Kurti, si dhe dy udhëheqësit e dy partive tjera parlamentare, Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku.
Marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi ishte ratifikuar në mars të vitit 2018 në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës ku pati gaz lotsjellës e tensione.