Shteti i pamëshirshëm me pacientët, ua mbyll dyert për trajtim në spitale private, s’i paguan borxhet
Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë Arben Vitia nuk kanë dhënë kurrfarë shenje se po merren me zgjidhjen e problemit të borxheve milionëshe që Fondi për Sigurime Shëndetësore ka ndaj institucioneve private shëndetësore për punën e trajtimit jashtë vendit. Kjo edhe përkundër urgjencës dhe nevojës se pacientëve për shërim, që si rezultat i këtij injorimi nga institucionet s’po arrijnë të marrin shërbime.
Pacientët kosovarë nuk po mund të marrin shërbime shëndetësorë në institucionet shëndetësore private si në Kosovë po ashtu edhe jashtë vendit për shkak se Fondi për Sigurime Shëndetësore ka ndalur dhënien e mjeteve financiare.
Arsyeja për këtë është borxhi që ky Fond ka ndaj institucioneve shëndetësore private.
Duke parë një situatë të tillë, vonesat dhe injorimin ndaj kërkesave për kompensim, këto institucione private shëndetësore I janë drejtuar edhe Gjykatës Komerciale për të kërkuar paratë që iu takojnë për shërbimet që ua kanë ofruar pacientëve.
Kërkesë për kompensim ka parashtruar edhe Spitali Amerikan në Shqipëri, për një shumë që kap vlerën 2.5 milionë euro dhe nga Spitali Amerikan në Kosovë pagesat për të cilin janë ndaluar nga shkurti 2020 e ku borxhi i FSSH-së për këtë institucion ka kaluar shifrën e 700 mijë eurove.
Raporti i institucioneve private shëndetësore më Fondin e Sigurimeve Shëndetësore është ndërtuar bazuar në dispozitat e Ligjit Nr.04/L-239 “Për sigurimin Shëndetësor” dhe bazuar në Udhëzimin Administrativ Nr.03/2017 Për trajtim shëndetësor jashtë institucioneve publike shëndetësore.
Në bazë të këtyre ligjeve afati për realizimin e pagesave duhet të ishte brenda 6 muajsh. Por pavarësisht kësaj, kanë kaluar muaj e madje edhe vite që kur spitalet s’kanë përfituar asgjë. Ndryshimet në MSH, vakumi disa mujor pas dorëheqjes së ministrit Latifaj dhe ardhja e Arben Vitisë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë s’e kanë ndryshuar situatën.
Mosrealizimi i obligimeve financiare nga FSSH ka detyruar këto institucione shëndetësore që pa dëshirën e tyre të refuzojnë kërkesat e reja për trajtime.
Institucionet përgjegjëse ende s’kanë hartuar kurrfarë strategjie financiare për kthimin e këtyre borxheve ndaj spitaleve private, duke i çuar këto institucione edhe në probleme financiare meqë shumat janë të konsiderueshme.
Gazeta Express ka dërguar pyetje prej disa ditësh në adresë të Fondit për Sigurime Shëndetësore dhe në adresë të Ministrisë së Shëndetësisë për këtë problematikë, megjithatë s’ka marrë kurrfarë përgjigje.