POLITIKATË FUNDIT

Iu gjet arsenal armësh në shtëpi, gjykata e dënoi me vetëm 700 euro Avni Deharin

Në dhjetor 2022, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari pas pranimit të fajësisë ishte dënuar me gjobë prej 700 euro për veprën penale armëmbajtje pa leje.

Policia e Kosovës gjatë bastisjes në shtëpinë e tij kishin gjetur një ‘sprej’ me mbishkrimin “NATO”, një revole të markës “Cervena zastava”, dy pushka, kallashnikov dhe 56 fishekë.

Për të gjitha këto armë të gjetura në shtëpinë e Deharit në lagjen Zllatar të Prishtinës, sipas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, deputeti Dehari ishte dënuar vetëm me një gjobë prej 700 eurosh, raporton Gazeta Insajderi.

Do të kalonin gati pesë vite nga kjo bastisje derisa Prokuroria Themelore në Prishtinë, të ngriste një aktakuzë kundër deputetit Dehari.

Aktakuza kundër tij për këtë rast, për posedim të armëve pa leje u ngrit në korrikun e vitit 2021, nga Departamenti për Krime të Rënda, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Seanca për këtë rast do të mbahej në nëntor të atij viti, dhe deputeti Dehari e pranoi fajësinë dhe aty u shpreh se ndihej keq për këtë vepër penale që e ka bërë.

Prokuroria ishte pajtuar me pranimin e fajësisë, çka do ta pranonte edhe gjykata dhe vendimi për këtë rast pastaj u dha një vit më vonë.

Në vendim, Gjykatësi Kushtrim Shyti, edhe pse aplikon një dënim me para prej vetëm 700 eurosh, konstaton se për të vendimi është i drejtë dhe i ligjshëm. Thotë edhe se kjo masë do ta parandalojë të dënuarin, në këtë rast deputetin Avni Dehari që në të ardhmen ta kryej ai këtë vepër, por do të ndikojë që edhe të tjerët të mos kryejnë vepër të njëjtë.

Avni Dehari i lindur në vitin 1947, në fshatin Sllupçan, rrethi i Kumanovës aktualisht është deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, partia në pushtet që ka shumicën parlamentare në vend.

Në zgjedhjet e shkurrit të vitit 2021 ai mori mbi 50 mijë vota.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *