Reforma zgjedhore, Kurti tregon si do të votojë diaspora për zgjedhjet e ardhshme në Kosovë
Javën e kaluar Komisioni ad-hoc për reformë zgjedhore, i themeluar nga Kuvendi, përmbylli punën e tij, duke hartuar draftin e ri të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Kryeministri Albin Kurti sot në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se këtë draft së shpejti do ta kenë për trajtim edhe në Qeveri, për të dhënë opinionin dhe komentet, transmeton Zeri.info.
“Megjithatë, sot para jush dua ta shpalos një dimension të veçantë të tij, e që ka të bëjë me votimin e mërgatës në zgjedhjet në Kosovë. Në esencë, ky draftligj i jep fund një padrejtësi të gjatë ndaj mërgatës, kur vjen puna te votimi dhe përmbush përfundimisht edhe një zotim tonin ndaj mërgatës. Ai parasheh që mërgata të ketë lehtësim real të shprehjes së vullnetit të tyre politik, teksa ambasadat dhe konsullatat e Republikës gjatë zgjedhjeve do të shndërrohen në qendra të votimit.
Votuesit nga mërgata në të kaluarën përgjithësisht janë përballur me dy sfida. Së pari, regjistrimi i tyre ka përfshirë procedura të komplikuara e burokraci. Së dyti, afatet për dërgimin e fletëvotimeve me postë kanë qenë të shkurta, krahas kostos së lartë financiare”, tha Kurti.
Sipas draftligjit, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare bashkatdhetarët do të evidentohen si votues në mënyrë elektronike.
Kurti ka sqaruar se regjistrimi i tyre do të jetë shumë më i lehtë dhe do të bëhet online, ngjashëm si në shembullin e shërbimeve, të cilat kryhen sot në platformën e-Kosova. Ndërsa, për hedhjen e fletëvotimeve ata do të kenë tri opsione:
I pari, do të jetë votimi fizikisht një ditë para ditës së zgjedhjeve në njërën nga ambasadat ose konsullatat e Republikës së Kosovës;
Opsioni i dytë do të jetë dërgimi i fletëvotimeve me postë brenda vendit ku jetojnë, në adresën që e cakton Ambasada e Republikës së Kosovës. Me këtë, ambasadat do të shndërrohen në qendra të grumbullimit të fletëvotimeve. Kjo do t’u kursejë bashkatdhetarëve tanë buxhet dhe kohë dhe do të mundësojë që fletëvotimet të arrijnë shpejt e sigurt; si dhe
Opsioni i tretë mbetet mënyra e vjetër e votimit, duke i dërguar fletëvotimet me postë në adresë të Komisionit Qendror Zgjedhor për vendet ku Kosova nuk ka ambasadë ose konsullatë ende.
“Mërgata jonë përbën rreth 1/3 të popullsisë së tërësishme të vendit, të cilët të lidhur ngushtë me vendlindjen dhe me një kontribut të madh ekonomik e politik si në të kaluarën, ashtu edhe tani, meritojnë të jenë pjesë e vendimmarrjes në Kosovë.
Për shkak të barrierave dhe procedurave burokratike, interesimi i tyre për vendlindje ka qenë gjithmonë më i lartë sesa pjesëmarrja në procese zgjedhore. Me ndryshimet sipas draftligjit të ri, pjesëmarrja në zgjedhje do t’i përgjigjet interesimit dhe vullnetit për qenë pjesë e vendimmarrjes”, tha Kurti të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë.