POLITIKA

Bajqinovci kërkon llogari nga BE-ja pas deklaratës së Vuçiqit: Paramendoni reagimin e tyre nëse Kosova do të thoshte të njëjtën gjë

Deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci thotë se nuk është hera e parë që presidenti serb, Aleksandër Vuçiq deklarohet për mos-zbatim të marrëveshjes.Bajqinovci në një prononcim për GazetaBlic ka kërkuar llogari nga BE-ja sepse sipas tij, nëse Kosova do të bënte një deklaratë të tillë, reagimi i ndërkombëtarëve do të ishte ndryshe.

“Kjo është një pyetjet shumë e mirë që së pari duhet t’i bëhet BE-së dhe komunitetit ndërkombëtarë. Nuk është hera e parë që Vuciq haptazi thotë se nuk do të zbatojë marrëveshjen bazike. Unë mund të them vetëm një gjë. Paramendoni çfarë do të ishte reagimi ndërkombëtar sikur Kosova të thoshte se nuk e nënshkruan marrëveshjen, siç ka bërë Serbia, dhe nuk do t’i zbatojë të gjitha pikat e marrëveshjes, siç po bën Serbia”, tha Bajqinovci për GazetaBlic.

Kujtojmë se, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se nuk do ta zbatojë totalisht marrëveshjen e arritur së fundmi me Kosovën.

Vuçiq i tha televizionit publik serb se disa pika nuk do të zbatohen nga ana e Serbisë.

Deklaratën e tij e ka cituar Blerim Vela, shef i stafit në kabinetin e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, duke thënë se Perëndimi tani duhet t’i vë sanksione Serbisë.

“Ne do t’i zbatojmë disa pjesë (të marrëveshjes), ndërsa të tjerat jo. E kam bërë të qartë se çka nuk do të zbatoj”, ka thënë Vuçiq.
Vela tha se kjo është “një kontradiktë e qartë” me atë për të cilën ka pasur marrëveshje si dhe me qëndrimin e Bashkimit Europian.

“Sanksionet duhet të pasojnë!”, ka shkruar Vela në Twitter.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *