Haxhiu e quan të papranueshëm vendimin e Supremes për lirimin e të akuzuarit për vrasjen e Donjeta Pajazitajt
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se është i papranueshëm vendimi i Gjykatës Supreme për lirimin e të akuzuarit për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.
“Po i komentoj vendimet e gjykatës supreme sepse për mua është e papranueshme që një person i cili dënohet me burgim të përjetshëm, aq lehtësisht të lirohet nga akuza”, ka thënë Haxhiu, në fjalimin e mbajtur në Kuvend për punën dyvjeçare të Qeverisë.
Duke komentuar vendimin e Supremes, Haxhiu ka thënë se reformat e nisura nga Qeveria janë të rëndësishme dhe se qytetarët kanë më së shumti nevojë.
“Më lejoni edhe një herë të shpreh shqetësimin tim për një njoftim që sapo u bë publik nga Gjykata Supreme. Personi i dënuar nga shkalla e parë, pra me dënim të përjetshëm, Naser Pajazitaj dhe nga shkalla e dytë me 35 vite dënim, është liruar nga akuza nga Gjykata Supreme”, ka thënë ajo.
Sot, Gjykata Supreme, e ka liruar nga akuza Naser Pajazitajn, i akuzuar për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, në nëntor të 2015-ës, në Bjeshkët e Deçanit.