TË FUNDIT

Ligji për Arsimin e Lartë vendos standardet për emërime akademike

Ligji për Arsimin e Lartë vendos standardet për emërime akademike

Me Ligjin për Arsimin e Lartë, i miratuar nga Qeveria e Kosovës, përcaktohen kriteret e qarta për themelimin e institucioneve për arsimin e lartë dhe bëhet verifikimi i titujve akademikë.

Ministria e Arsimit bëri të ditur se duke filluar nga 1 janari 2026, të gjithë profesorët e rregullt, ata të asocuar dhe profesorët asistentë, të emëruar para hyrjes në fuqi të këtij ligji, fillimisht duhet t’i plotësojnë kushtet për fitimin e titullit akademik përkatës të përcaktuar me nenin 28 të këtij ligji.

Disa nga çështjet kryesore që do t’i rregullojë Ligji për Arsimin e lartë, i cili është miratuar nga Qeveria e Kosovës, janë: vendosja e mekanizmave për sigurimin e integritetit akademik, standardet dhe kriteret minimale për emërime akademike, si dhe kriteret e qarta për themelimin e institucioneve publike të arsimit të lartë. Këshilltarja për media në Ministrinë e Arsimit, Edona Kutleshi-Maliqaj, bëri të ditur për Radio Kosovën se duke filluar nga data 1 janar 2026, të gjithë profesorët e rregullt, profesorët e asocuar dhe profesorët asistentë, të emëruar para hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe që kanë marrëdhënie pune me njërin nga institucionet publike të arsimit të lartë, fillimisht duhet t’i plotësojnë kushtet për fitimin e titullit akademik përkatës të përcaktuar me nenin 28 të këtij ligji.

“Nga ky obligim përjashtohen profesorët e rregullt të lindur para datës 1 janar 1966. Profesorët që nuk i plotësojnë kushtet nga paragrafi 3 i këtij neni, do të emërohen me titullin akademik përkatësisht në vendin e punës për të cilin i plotësojnë kushtet në pajtim me dispozitat e legjislacionit të punës dhe nevojat e institucionit. Procedurat dhe afatet për verifikimin e plotësimit të kushteve nga paragrafi 3 i këtij neni, rregullohen me akt nënligjor të veçantë. Ndërkaq, verifikimi duhet të përfundojë deri më 30 qershor 2027, ndërsa ky afat mund të vazhdohet për gjashtë muaj me vendim të ministrit”, tha Kutleshi-Maliqaj.

Verifikimi i titujve akademikë para hyrjes në fuqi të këtij ligji, është përcaktuar me dispozitat kalimtare të këtij ligji. Ndërsa, lidhur me financimin e institucioneve publike të arsimit të lartë, Kutleshi tha se do të rregullohet me udhëzimin administrativ për financimin e universiteteve publike, bazuar në performancë.

“Ky udhëzim administrativ, aktualisht është në proces të draftimit dhe pritet të përfundojë këtë vit. Paraprakisht është bërë udhërrëfyes për financimin e bazuar në performacë të institucioneve publike të arsimit të lartë, i cili është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet MASHT-it dhe Ministrisë Federale Austriake të Arsimit, Shkencës dhe Kërkimit”, shtoi ajo.

Ndërkohë, Rinor Qehaja nga Instituti “EdGuard”, shpreson që ky ligj të miratohet sa më shpejt në Kuvendin e Kosovës.

“Ligji për Arsimin e Lartë, është mirë që është proceduar tutje për në Kuvend dhe shpresojmë shumë që i njëjti të gjejë aprovimin. Rikujtojmë që ky ligj ka disa dekada tashmë që ri-shikohet, përditësohet dhe procedohet për miratim, mirëpo asnjëherë nuk ka gjetur miratim në Kuvend”, tha Qehaja.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria miratoi Projektligjin për arsimin e lartë, ku ndër të tjera përcakton edhe detyrat e strukturave qeverisëse të institucioneve publike të arsimit të lartë në vend.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *