Szunyog: Modelet evropiane për Asociacionin nuk cenojnë sovranitetin dhe integritetin e Kosovës
Szunyog: Modelet evropiane për Asociacionin nuk cenojnë sovranitetin dhe integritetin e Kosovës
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog vlerëson se Kosova mund të shikojë në modelet e ndryshme të Asociacioneve që aplikohen nëpër vende të ndryshme Evropianë. Ambasadori i BE-së tha se Kosova, megjithatë, duhet ta ketë parasysh zbatimin e marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015.
“Mendoj që Qeveria e Kosovës duhet vërtet të fokusohet në zbatimin e duhur të këtyre marrëveshjeve, asaj të 2013 dhe 2015. Mendoj se kjo është shumë e qartë. Sigurisht kjo nuk e parandalon askënd të shikojë modele të ndryshme evropiane dhe të frymëzohet se si të krijohet në mënyrë specifike ky Asociacion, si të krijohet statuti, por natyrisht nuk po presim që ndonjë nga këto modele evropianë të transplantohen 100 % në Kosovë”, ka thënë Szunyog në Tëvë1.
Shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë shprehet i bindur se modelet evropiane nuk cenojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
“Mund të shërbejnë vetëm si frymëzim, por do të doja të theksoja një gjë që këto modele funksionojnë dhe gjithsesi nuk cenojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të këtyre shteteve evropiane të cilat i zbatojnë ato modele. Pra këto modele janë për frymëzim dhe për të dëshmuar se nuk ka asgjë për t’u frikësuar”, ka përfunduar ai.