Stano: Presim që të dyja palët të kontribuojnë në krijimin dhe ruajtjen e atmosferës së normalizimit
Stano: Presim që të dyja palët të kontribuojnë në krijimin dhe ruajtjen e atmosferës së normalizimit
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka deklaruar sot se të martën do të ketë takim mes dy kryenegociatorëve të dialogut në Bruksel.
Stano ka theksuar se presin që të dyja palët të kontribuojnë në krijimin dhe ruajtjen e atmosferës së normalizimit, pajtimit dhe zbatimit të shpejtë të angazhimeve që janë marrë veçanërisht në fund të shkurtit në Bruksel dhe më pas në mes të marsit në Ohër.
“Sa i përket Kosovës dhe Serbisë. Po. Nesër do të kemi takimin e kryenegociatorëve nga të dyja palët në Bruksel. Dhe, siç e thamë gjatë gjithë kohës, presim që të dyja palët të kontribuojnë në krijimin dhe ruajtjen e atmosferës së normalizimit, pajtimit dhe zbatimit të shpejtë të angazhimeve që janë marrë veçanërisht në fund të shkurtit në Bruksel dhe më pas në mes të marsit në Ohër. Vetë palët janë zotuar të përmbahen nga çdo veprim që do të kishte efekt të kundërt, që do të thotë se do të ishte kundër kësaj atmosfere, atmosferës së nevojshme të angazhimit dhe pajtimit konstruktiv. Pra, shpresojmë që ajo që kemi qenë dëshmitarë gjatë ditëve të fundit, sidomos në Kosovë dhe në veri nuk do të ketë ndikim në takimin e nesërm. Takimi i kryenegociatorëve nesër është i rëndësishëm sepse ata do të diskutojnë. Ata do të takohen në fakt për herë të parë zyrtarisht pas marrëveshjes së Ohrit dhe do të punohet dhe diskutohen hapat e nevojshëm për zbatimin e zotimeve që dalin nga marrëveshja dhe aneksi i saj”, është shprehur Stano.
I pyetur rreth zbatimit të marrëveshjes ai ka thënë se tashmë e kanë trajtuar këtë çështje disa herë. Ka një angazhim të qartë, pranim të qartë nga të dyja palët se ata pranojnë marrëveshjen dhe aneksin, dhe ata marrin një angazhim politik për të filluar zbatimin e saj, ka theksuar Stano.
“Ne e kemi trajtuar këtë çështje disa herë tashmë. Domethënë kanë kaluar një muaj e pak ditë që nga arritja e marrëveshjes në Bruksel që nga marrëveshja për aneksin nga palët dhe çdo spekulim për nënshkrimin apo mënyrën e adoptimit është krejtësisht i kotë. Sepse ajo që është e rëndësishme është se të dyja palët ranë dakord për këtë tekst, është një deklaratë politike. Ky është zotim i qartë që është pranuar nga të dyja palët përmes deklaratës së përfaqësuesit të lartë, deklaratë e cila është publikuar gjatë natës pas përfundimit të bisedimeve të Ohrit. Pra, ka një angazhim të qartë, pranim të qartë nga të dyja palët se ata pranojnë marrëveshjen dhe aneksin, dhe ata marrin një angazhim politik për të filluar zbatimin e saj. Pra, çdo diskutim për nënshkrimin ose jo është krejtësisht i kotë, sepse ajo që duhet tani është përmbushja e zotimit, dhe zotimi ishte shumë i qartë, zotim për zbatim”, ka thënë Stano.
Zëdhënësi Stano është pyetur për rastet e djegies së e veturave në veri, Ai nuk i ka komentuar si raste por ka vlerësuar se e vetmja gjë që duhet të bëhet tani është se Kosova dhe Serbia, duhet të përqendrohen në zbatimin dhe ruajtjen e atmosferës së normalizimit, të pajtimit, dhe të mos bëhet asgjë në kundërshtim me këtë.
“Synimi kryesor i sjelljes së të dyja palëve për marrëveshje në Bruksel, nga fundi i shkurtit, dhe më pas aneksi nga mesi i marsit në Ohër, ishte pikërisht dalja përfundimisht nga kjo gjendje krize. Por përsëri, asnjë krizë nuk do të zgjidhet vetëm duke rënë dakord për diçka. Bëhet fjalë për zbatimin dhe kjo është arsyeja pse Bashkimi Evropian është kaq i qartë dhe kaq këmbëngulës, dhe po bën presion tek të dyja palët, për të filluar me seriozitet zbatimin. Kjo është ajo që do të ndodhë nesër në Bruksel. Hapat e parë të zbatimit do të diskutohen dhe këtë e pret Bashkimi Evropian. Këtë e presin vendet anëtare të Bashkimit Evropian nga të dyja palët. Dhe ne kemi qenë të qartë gjatë gjithë kohës, duke përfshirë edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, duke ua përcjellë të dyja palëve. E vetmja gjë që duhet të bëni tani është të përqendroheni në zbatimin dhe të kontribuoni në mënyrë konstruktive në ruajtjen e atmosferës së normalizimit, të pajtimit, dhe të mos bëni asgjë në kundërshtim me këtë. Pra ky është mesazhi. Ne duhet të fillojmë punën për zbatimin me të dyja palët dhe ato duhet të përkushtohen dhe të përpiqen me energjitë e tyre për të filluar këtë punë sepse vetëm me zbatim kjo marrëveshje mund të funksionojë dhe më në fund mund të ndihmojë të dyja palët të dalin nga situata që kemi parë më parë”, ka thënë ai.