Pajaziti nga Alternativa për Ndryshim: Kurti na mashtroi, nuk bëri asgjë për shqiptarët e Luginës`
E, dikush tjetër në Luginën Preshevës është dëshpëruar tej mase me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe Qeverinë e tij, shkruan Gazeta Blic.Arbër Pajaziti që është nënkryetar i Alternativës për Ndryshim, thotë se ata u përdorën nga shefi i Qeverisë së Kosovës, vetëm për konsum ditor e politik të Kurtit.
Ai për emisionin “Expose”, prodhim i Gazeta Blic thotë se mos përfshirja e problemit të Luginës së Preshevës në marrëveshjen e 27 shkurtit në Burksel dhe më pas të 18 marsit në Ohër, është një goditje e madhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës.Ai e ka akuzuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe Shaip Kamberin, të parin sepse bashkëpunon vetëm me një subjekt politik në Luginë, dhe të dytin, se sheh vetëm interesin politikë e partiake, dhe se nuk është i interesuar për adresimin e problemeve të komuniteti pakicë në Luginë.
“Kryeministri Kurti bashkëpunon me një parti politike këtu në Luginë të Preshevës, vetëm me ata bashkëpunon, ndërsa të tjerët i bojkoton, sepse nuk janë të dëgjueshëm ndaj tij personalisht, e jo ndaj politikave shtetërore apo kombëtare. Mirëpo, ne kemi pasur takime të ndryshme jashtë Kosovës, në Bashkimin Evropian, nëpër ambasada, të cilët veprojnë në Republikën e Serbisë dhe kemi ngritur zërin dhe të gjithë na kanë bërë të qartë se nuk jemi në plan të askujt deri në këto momente”, thotë ai për “Expose”, raporton Gazeta Blic.
Sipas tij, ndoshta çështja e Luginës do të hapet pas marrëveshjes finale Kosovë Serbi.
“Kemi pasur disa liderë të Luginës së Preshevës që kanë udhëtuar në SHBA me sponsorizimin e Qeverisë së Kosovës dhe ata kanë shkuar në ditën kur është mbajtur takimi në Bruksel për t`i alarmuar institucionet në SHBA, se shqiptarët janë të diskriminuar.
Shqiptarët nuk janë të diskirminuar sot, ata janë të diskriminuar më shumë se 20 vite, mirëpo e vetmja ngritje e pozitës së shqiptarëve ka ndodhur në vitin 2002, ku pas marrëveshjes se Konçulit, ka pasur kyçje të shqiptarëve në organet shtetërore dhe është ndërruar ligji i vetëmenaxhimit të administrimit lokal, ku shqiptarët kanë udhëhequr me komunën e Bujanocit dhe kështu me radhë. Mirëpo, kjo ka qenë koha e vetme kur shqiptarët kanë pasur një avansim të tyre, ndërsa prej atëherë e këndej ka shkuar duke u bërë me keq dhe sot për fat të keq jemi pakica më e diskriminuar në Ballkan apo ndoshta në gjithë Evropën”, vlerëson Pajaziti.