Osmani: Veprimet e fundit në veri të orkestruara nga Beogradi
Osmani: Veprimet e fundit në veri të orkestruara nga Beogradi
Veprimet e fundit kriminale në veri të Kosovës, janë të orkestruara nga struktura ilegale dhe të mbështetura nga Beogradi.
Kështu ka deklaruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë një takimi që zhvilloi me të dërguarit e posaçëm të Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës së Austrisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin dhe Johannes Eigner.
Ajo ka thënë se këto veprime në veri kanë për qëllim frikësimin dhe kanosjen e popullatës lokale serbe, si dhe krijimin e një klime frike dhe pasigurie.
Pavarësisht kësaj, Osmani theksoi se Kosova do të vazhdojë të jetë plotësisht e koordinuar me aleatët ndërkombëtar për të vazhduar përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm, ndërsa është e përkushtuar për zbatimin e rendit dhe ligjit në të gjithë territorin e Republikës.
“Kosova vazhdon të angazhohet në mënyrë konstruktive për t’i kontribuar paqes afatgjate në rajon”, ka deklaruar Osmani .
Në këtë takim është biseduar për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, përfshirë dakordimin e arritur për marrëveshjen bazë, si dhe planin e zbatimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe zhvillimet e sigurisë në veri të Republikës së Kosovës, njofton Presidenca.
Në fund presidentja Osmani ka falënderuar emisarin Sarrazin dhe Einger për angazhimin e Gjermanisë dhe Austrisë për integrimin e plotë të Republikës së Kosovës në institucionet euroatlantike, teksa ka theksuar se koordinimi i Kosovës me aleatë do të vazhdojë