Një serbe ankohet për sjelljen e policisë në Zveçan, sqarohet policia
Një serbe ankohet për sjelljen e policisë në Zveçan, sqarohet policia
Gjatë ditës së djeshme, Lista Serbe përmes një video është ankuar lidhur me sjelljen e zyrtarëve policorë në pikën e kontrollit në Zveçan.
Sipas Listës Serbe, zyrtarët policorë janë sjellë në mënyrë të ashpër me një grua e cila me vete kishte edhe fëmijën e saj.
Mirëpo kjo është demantuar nga ana e Policisë së Kosovës.
Në reagimin e tyre, Policia thuhet se zyrtarët policorë me mirësjellje i janë përgjigjur gruas, duke e njoftuar atë se ata janë aty për të ofruar siguri dhe se janë në shërbim të të gjithë qytetarëve/banorëve të Zveçanit pa dallim.
“Përgjatë realizimit të pikës së kontrollit, diku rreth orës 21:45 afër njësisë policore ka shkuar një femër (grua) me një fëmijë në dorë, bazuar në gjuhën e folur, mund t’i përket komunitetit serb, e cila iu ka adresuar zyrtarëve policorë me pyetjet se pse po mbani pika kontrolli, pse po i ndaloni veturat, pse po na shqetësoni, kinse edhe burri i saj ka ardhur i shqetësuar në shtëpi kur ka kaluar me automjet këndej pari pranë patrullës policore. Zyrtarët policorë me mirësjellje i janë përgjigjur gruas, duke e njoftuar atë se ata janë aty për të ofruar siguri dhe se janë në shërbim të të gjithë qytetarëve/banorëve të Zveçanit pa dallim”, thuhet në reagimin e PK-së.
Më tutje nga Policia thonë se kjo ngjarje është e inskenuar.
“Vlen të potencohet se gruaja në fjalë së bashku me fëmijën nuk janë ndaluar fare nga Policia e Kosovës, por e njëjta ka shkuar vetë tek njësia policore për të komunikuar me ta dhe sipas të gjitha gjasave për t’u realizuar pastaj xhirimet e video sekuencës së publikuar”, thuhet në reagim.
Policia e Kosovës përmes sjelljes profesionale vazhdon të mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe ofrimit të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, thuhet më tutje në reagim. /Lajmi.net/