Ish-ambasadori holandez: Nëse UÇK është organizatë kriminale, jemi edhe ne
Ish-ambasadori holandez: Nëse UÇK është organizatë kriminale, jemi edhe ne
Sot ka nisur procesi i gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaç, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, ku Prokuroria e Gjykatës Speciale ka mbajtur, për pesë orë, fjalën e vet hyrëse duke hedhur akuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ish-ambasadori holandez, Robert Bosch, i cili ka qenë në shërbim në Kosovë pas luftës, foli për Gjykatën Speciale, e cila ka selinë në Hagë, si dhe për aktakuzën e ngritur ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Ambasadori Bosch theksoi se në kohën kur po themelohej kjo gjykatë, ai, ndonëse ishte kundër si individ, atij i duhej të vepronte ashtu siç e rekomandonte qeveria e tij. “Dhe tani që jam në pension them atë që mendoj”, deklaroi Bosch.
Ai, mes tjerash, theksoi se kjo gjykatë, ndonëse quhet e Kosovës, aty nuk di çka ka të Kosovës, në realitet, derisa vazhdoi të evokonte kohën e themelimit të kësaj gjykate nën udhëheqjen e Villiamsonit, i cili nuk qe i bindur në pretendimet e Marty-t për trafikim organesh.
Ai shprehu habinë se pse do të duhej themeluar Gjykatën Speciale për raste të tilla, kur mund fare lehtë të themelohej në Kosovë dhe në secilin vend ku ka pasur konflikte.
Tutje, ish-ambasadori Bosh (Bosch) për UÇK-në tha se për ne ka qenë organizatë që ka qenë në terren.
“Për ne UÇK ka qenë trupa në terren, pra kanë qenë miqtë tanë. Nëse UÇK është organizatë kriminale edhe ne jemi të tillë sepse, në njëfarë mënyre kanë punuar për ne”, theksoi ish-ambasadori Bosh në RTK Prime.
Ai më tej shtroi dilemën për cilësimin që Prokuroria ia vë UÇK-së, si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”, teksa këtë e konsideroi si qesharake.
“ Cilësimi i UÇK-së si ‘Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale’ është qesharake. Ata kanë punuar për ne dhe NATO nuk do të punonte me ta”, deklaroi sh-ambasadori Bosh.