Sot mbahet marshi për drejtësi
Sot mbahet marshi për drejtësi
Platforma “Liria ka emër” do të organizojë sot në Prishtinë marsh qytetar dhe solidarizues në mbështetje të luftës së drejt të UÇK-së dhe ish-krerëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre në Hagë.
Marshi do të niset nga sheshi “Zahir Pajaziti”, në orën 14:00 dhe do të vazhdojë në drejtim të sheshit “Skënderbeu”. Organizimi i këtij marshi ka marrë mbështetjen e partive politike, shoqërisë civile, personalitete të ndryshme, bashkësi fetare dhe shumë qytetarë.
Ideatorët e platformës “Liria ka emër, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli kanë thënë se ish-krerët e UÇK-së nuk janë duke u përballur me procesin gjyqësor për shkak të emrave të tyre të përveçëm, por për shkak se me emrat e tyre lidhet epoka më e ndritur e historisë sonë të re.
“Përkundër se populli shqiptar ka qenë viktimë e një lufte të imponuar, me vite të tëra, proceset gjyqësore të pabaza, i kanë përndjekur ndër vite ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kulmi i të cilave manifestohet me procesin e Dhomave të Specializuara, në të cilat aktualisht po mbahen ish krerët e UÇK, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarë të tjerë”, ka thënë Eliza Hoxha.
Ajo me rastin e fillimit të procesit gjyqësor kundër ish krerëve të UҪK-së, në emër të solidaritetit me heronjtë tanë, ka ftuar të gjithë qytetarët në marsh solidarizimi për drejtësi.
Ideatori tjetër, Ismail Tasholli ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të drejtë për mbrojtjen e jetës së njerëzve dhe për lirinë e vendit tonë dhe kjo është një e vërtetë historike, të cilën duhet ta ruajmë si të tillë, sepse është një e vërtetë e gjithsecilit prej nesh – është e vërteta e Kosovës.