INTERESANTE

Rrëfim i gojëdhënës së Gjorg Golemit

Nga: Josif Toçi

Sipas Fjalorit Shqip-Shqip, gojëdhëna eshtë një kallëzim popullor për një ngjarje të së kaluarës, për një figurë historike etj., që mund të ketë një bazë të vërtetë, por që është shtuar e zbukuruar nga fantazia e popullit dhe përcillet gojë me gojë nga njëri brez në tjetrin.

Gjorg Golemi ishte prijësi i Sopotit dhe i gjithë Shqipërisë së mesme. Në vitin 1432, ushtria turke donte të merrte në zotërim kalanë e Sopotit, të cilën u mundua disa herë t’a pushtonte, por nuk arriti dot. Një ditë, ushtria turke duke përshkuar rrugën për t’u ngjitur në Sopot, kaloi Luginën e përroit të Gostimës, nga Fush-Bualli në drejtim të Malit të Gaferrit, ku ishin edhe zotërimet e Gjergj Arianitit që sipas gojëdhënës e quanin Gjorg Golemi.

Në afërsi të kalasë së Sopotit, ku kishte zotërimet Gjorgu, buzë përroit të Gostimës turqit takuan një plakë nga fisi Blloshmi. Ata e pyetën atë se si mund të arrinin të pushtonin kalanë. Ajo pasi i dëgjoi iu tha që kjo kala mund të pushtohej vetëm një ditë në vit, por që t’a tregonte atë ditë, ata i ofruan në këmbim një qese me florinj. Plaka i pranoi florinjtë dhe u tregoi. Ajo i tha se kalaja mund të pushtohej vetëm në datën 28 gusht, ditën e Shën Mërisë, kur Gjorgu me ushtrinë e tij shkonte për t’a festuar në Manastirin e atëhershëm të Galigatit.

Turqit duke marrë parasysh fjalët që u tha plaka, prisnin datën 28 gusht për të finalizuar synimin e tyre. Dhe kështu bënë. Në datën 28 gusht (nuk dihet viti), me ushtrinë e tyre ata u futën në luginën e përroit të Gostimës, iu ngjitën Malit të Sopotit, e rrethuan kalanë që sot quhet Maja e Gaferrit.

Kalaja ruhej nga 3 kapedanë. Ata u përballën fillimisht me kapedanin e parë të kalasë, i cili ishte nga fisi Panxhi. Ata i kërkuan që të lëshonte portën e parë, por ai nuk pranoi. U munduan t’a bindnin dhe në shkëmbim i ofruan një mushkë me florinj, e cila në të vërtetë nuk kishte aq florinj sa pretendonte kapedani, sepse turqit i kishin mbushur thasët me gurë stralli dhe sipër tyre kishin vendosur nga një okë florinj. Kur i hapën grykën e thasëve Panxhit, ai i pa florinjtë e verdhë dhe e lëshoi portën e parë dhe u liroi rrugën për pushtimin e kalasë.

Panxhi u largua dhe ata shkuan tek kapedani i dytë, pjestar i fisit Bezhani. I thanë edhe atij të lëshonte portën se ishin të rrethuar dhe se Panxhi e lëshoi. Ai pranoi t’a lëshonte nga frika.

Mbasi e lanë të lirë të largohej edhe kapedanin e dytë, turqit shkuan tek porta e tretë, e cila ruhej nga një njeri i besuar i Gjorg Golemit, që i përkiste fisit Bosi, fis i cili sot mendohet të ketë marrë mbiemrin Toçi, që nga rrëzimi i Gjorg Golemit. Banorët e këtij fisi jetojnë edhe sot në Shpat, në Babje, në Fushë Bardhë të Dibrës, në Burrel dhe në Labëri.

Kur shkuan tek kapedani i tretë i thanë t’a lëshontë edhe ai portën sepse dy të parët e lanë të lirë, dhe nëse ai nuk largohej ata do t’a vrisnin e do t’a digjinin kalanë. Roja Bosi kishte nën zotërim të gjithë barutin që mund t’a ndizte më eshkë e me të të hidhte në erë të gjithë kalanë. Por edhe ai u largua, sepse s’mund të vinte në rrezik gjithë banorët e asaj zone përmes shpërthimit të barutit dhe kështu vendosi t’a lërë kalanë në dorë të tyre.

Në këtë moment në kala ishte edhe e bija e Gjorg Golemit, Zara. Sapo e mori vesh që kalaja nuk po mbrohej më ajo me vëllain e saj, Markun u nisën me kalë në drejtim të maleve të Shpatit për të lajmëruar Gjorg Golemin se kalaja ishte pushtuar.

Duke u ngjitur nëpër male e shpate, nga shpejtësia dhe lodhja e madhe, u ngordh kali. Dhe sot ky vend në malet e Shpatit mban emrin Qafa e Kalit, që ndodhet disa km larg nga maja e malit Bukanik.

Pas kësaj mori të vëllanë, Markun e filluan të ecnin të dy. Në një qafë tjetër prej disa km vdes edhe Marku. Edhe ky vend, mban emrin e tij, Qafa e Markut dhe ndodhet pak km larg Qafës së Kalit.

Zara ngeli e vetme. Vazhdoi rrugën për të lajmëruar të atin për pushtimin e kalasë. Në një majë mali që sot mban emrin Çukë Zara, për nder të saj, sipas legjendes, nga ky vend, që ndodhet përballë Galigatit, Zara i thërret të atit fort, që t’i tregojë se kalaja ishte pushtuar nga turqit. Fati i Zarës pas këtij momenti mbetet i paqartë, por mendohet se mund të ketë vdekur. Edhe maja e malit mbi fshatin Pashtresh e ka marrë këtë emër për nder të saj, emër të cilin vazhdon t’a mbajë edhe sot e kësaj e dite.

Lajmëtarët, pasi e dëgjuan thirrjen e Zarës, i thonë Gjorgut se kalaja ishte pushtuar. Ai u thotë se kalaja nuk pushtohet. Vetëm nëse del peshku që është duke u skuqur nga tava, atëherë kalaja ishte pushtuar. Dhe kështu bënë. Skuqën një peshk dhe ai kërceu nga tava.

Pas kësaj Gjorgu i jep udhëzime ushtarëve të tij të niseshin drejt Sopotit dhe kur doli në malet e Shpatit u përball në Liqenin e kuq, mbi fshatin e sotëm të Gjinarit, në Malin e Bukanikut me ushtrinë turke që e priste aty.

Në atë vend u zhvillua një betejë e fortë mes ushtrisë turke e asaj të Gjorg Golemit. Edhe për këtë betëjë ka një legjendë të shkruar. Këndohen disa vargje në nder të kësaj beteje:

Sopotare moj të ngrata

Rrokni thika, rrokni shpata

Ushtrinë turke t’a luftojmë

Gjorg Golemin s’e turpërojmë

Beteja nuk ndalonte, zgjati disa ditë e net. Gjorg Golemi nuk dorëzohej. Thoshte shprehjen: “Pa shkuar gjaku në gjuhë të kalit ne nuk do dorëzohemi”.

Disa gra kur panë se beteja nuk po mbaronte, i thanë disa ushtarëve të lyejnë këmbët e kalit, nga gjunjtë e deri tek patkonjtë me gjak dhe t’i çonin t’i shihte Gjorg Golemi. Kështu bënë. Pasi Gjorg Golemi i pa, ndali betejën, të cilën thuhet se e fitoi ai dhe shkoi në kalanë e Sopotit.

Kur vajti atje kalaja ishte e rrënuar. Ai i mblodhi të tre kapedanët dhe i pyeti: pse e dorëzuat kalanë?

Të parin pyeti Panxhin: -“Ti Panxh pse e dorëzove i pari kalanë?” -Ai i tha që e gënjeu turku me një mushkë me florinj, qe as ata si kishte siç i thanë. Gjorgu e mallkoi dhe i tha: -” Ti Panxh qelepirxhi qofsh gjithmonë, dy pushkë me një krah mos i mbajtsh!”

Pyeti kapedanin e dytë nga fisi Bezhani: -” Bezhan pse e hape portën?” Ai iu përgjigj: -“Meqë e hapi Panxhi, u tremba edhe nga ushtria edhe e hapa” – “Ti Bezhan përrua më përrua si shejtan jetofsh e hajër mos pafsh!” e mallkoi Gjorgu.

Pyeti kapedanin e tretë, me mbiemër Bosi: -“Ti Bos pse e hape portën në fund, se unë të besova barutin e kalanë që ajo mos të binte?” Ai iu përgjigj: “Mua m’u dhimbs mileti që të mos vriteshin të gjithë.” – “Ti Bos gjynahqar qofsh gjithmonë!”- e mallkoi Gjorgu.

Fisi Panxhi, pas pushtimit të kalasë u shpërnda në Mokërr të Pogradecit e në Shpat. Fisi Bezhani jeton në Shpat e kanë jetuar gjithmonë nëpër përrenj e lugina.

Për këto fise ka disa toponime në Sopot, që mund të mbështesin deri diku gojëdhënën. Në një vend afër kalasë së Sopotit thuhet “Lugu i Bosit” ose lugina e Bosit. Për fisin Panxhi edhe sot eshtë në Sopot një man, të cilit i thonë Mani i Panxhit. Kurse për fisin Bezhani nuk ka ndonjë të dhënë të këtij lloji.

Pas vdekjes së Gjorg Golemit, zonja e tij, bashkëshortja autorizon një pjestar të fisit Bosi (Toçi), Ilia Bosi, që ishte një nga më të besuarit e Gjorgut dhe e dërgon në Venedik, për të marrë ndihma për familjen e Gjorgut. Kështu bëri.

Ilia Bosi u kthye me ndihma nga Venediku. Kjo shkruhet edhe në librin “Shpati i Sipërm, ekspedita e 1981”. Studimet për zonën e Shpatit të Sipërm, kanë prekur edhe këtë pjesë, madje një informacion e kanë marrë edhe nga dokumentet që ndodhen në Arkivën e Venedikut, në Itali.

Kjo pjesë përputhet edhe me një dëshmi historike të shek. XV, te vitit 1467, ku flitet për një Ilia Bosi, i dërguari i bruksaskorëve të Sopotit, i cili ka vajtuar për të kërkuar ndihmë në Venedik për luftën kundër turqve. Ai i hyri kesaj pune me pëlqimin e gruaj së të ndjerit Gjorg Golemi, zonjës Arianiti. Ilia Bosi i thotë asaj në një letër, se po bëhej kjo punë. Kjo është e vërtetuar nga dokumentat e Dhimitër Shuteriqit. Kjo Gojëdhëna tregohet edhe sot në të gjithë zonën, me disa elementë më pak ose më shumë.

Burimi: Arkivi Digjital Elbasan (ADE)

The post Rrëfim i gojëdhënës së Gjorg Golemit first appeared on In For.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *