POLITIKA

Mediumi britanik me artikull për Thaçin pak ditë para nisjes së gjykimit në Hagë

Mediumi i njohur britanik “Rueters”, i ka kushtuar një artikull të gjatë nisjes së procesit gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i konsideruar hero nga bashkatdhetarët për udhëheqjen e kryengritjes së viteve 1998-99 kundër sundimit serb që çoi në pavarësi, do të dalë në gjyq të hënën për krime të dyshuara lufte gjatë konfliktit”, e nis shkrimin Reuters.

Reuters tregon për ngritjen e aktakuzës ndaj Thaçit dhe të tjerëve në nëntor të 2020, kohë kur Thaçi ishte president i Koosvës, nga i cili funksion kishte dhënë dorëheqje. Siç shkruan Reuters, aktakuza lidhet me krime të luftës dhe krime kundër njerëzit, përfshirë persekutimin, vrasjen, torturën e zhdukjen me dhunë të njerëzve gjatë luftës.

Tutje, Reuters shkruan për rrugëtimin e Thaçit nga një luftëtar në kryeministër kur Kosova u deklarua e pavarur dhe nga viti 2016 si president.

“Përpara gjykimit, në të gjithë vendin e vogël ballkanik mund të shiheshin tabela që shfaqnin fotot e Thaçit dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli me mbishkrimin “Heronjtë e Luftës dhe Paqes”.” – shkruan Reuters

Në shkrim përmendet edhe marshi që pritet të mbahet nesër në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Aktakuza ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Thaçit dhe të tjerëve, është konfirmuar më 26 tetor të vitit 2020 nga Gjykata Speciale në Hagë.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020, pasi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Të katërtit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.

Lidhur me rastin e Thaçit dhe të tjerëve, ZPS-ja konfirmoi se janë mbi 300 dëshmitarë, ndërsa dëshmitarët e parë do të jenë gjithsej 12, por jo të gjithë parashihet që të shkojnë në sallën e gjyqit për të dëshmuar pasi ZPS-ja vetëm në disa raste do të mbështetet në dëshmitë e dëshmitarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *