DhTIK: Shtrenjtimi i rrymës do të ndikojë në rritjen e çmimeve
DhTIK: Shtrenjtimi i rrymës do të ndikojë në rritjen e çmimeve
Shtrenjtimi i energjisë elektrike në masë prej 15.4 për qind do të rrisë koston e prodhimit në sektorin privat dhe pritet të ndikojë edhe në rritjen e çmimeve në vend. Kështu ka vlerësuar drejtoresha ekzekutive e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DhTIK), Zana Beqiri, e cila kundërshton vendimin e ZRrE-së për ngritjen e tarifave dhe e quan të gabuar.
Përveç kësaj, Beqiri thotë se sfidë mbetet edhe periudha e shkurtër e kthimit të borxhit për furnizimin me energji elektrike.
Në një intervistë për KosovaPress, drejtoresha Beqiri ka kërkuar nga Qeveria mbështetje për bizneset dhe prodhuesit vendorë.
Pakoja e fundit për përballimin me inflacion ishte miratuar në shtator të vitit 2022 në vlerë 150 milionë euro.
“Bazuar në rritjen për 15 për qind në bazë të komunikimit tonë me biznese ne e shohim si shumë problematike këtë rritje, sepse është rritje e madhe për kohë shumë të shkurtër dhe për këtë po shpresojmë se qeveria ndoshta do të vijë me një vendim pak më të mirë, sepse ky si i tillë do ta dëmtojë shumë biznesin, shkaku se nëse kostoja e prodhimit i rritet për 15 për qind të energjisë elektrike, duke pas parasysh të gjitha bizneset tek ne, prodhimet përdorin energji elektrike, atëherë kjo automatikisht ndikon në koston për njësi, pra rritje të çmimeve në të gjitha produktet në Kosovë. Njëherësh edhe tek shërbimet, edhe për shërbime bizneset përdorin energjinë elektrike. Kuptohet, si të rriten shpenzimet tjera, pritet që të rriten edhe shpenzimet e shërbimeve, që do të thotë se do të ketë rritje të çmimeve në secilën fushë”, theksoi Beqiri.
Drejtoresha Beqiri thotë se qeveria duhet të hartojë politika zhvillimore për nxitje të punësimit, e jo për shtrenjtimin e rrymës.
“Ne mendojmë se është vendim i gabuar, është rritje shumë e lartë. Biznesi në fakt duhet të subvencionohet që t’i zvogëlohet energjia elektrike, sepse ne jemi mbi 80 për qind e kontribuojmë në buxhetin e Kosovës dhe si biznese ne duhet të inkurajohemi më shumë për të krijuar më shumë vende të punës. Në vend se t’i shkojë fatura e energjisë elektrike me një rritje të tillë, më mirë është të punësohen më shumë persona… 06:18 Vendimi që është marrë ka qenë për një kohë të shkurt, më pas afatin e kthimit e kemi shumë më të shkurt seç normal është dashur të negociojnë autoritetet, për këtë arsyeje kjo është rritje shume e madhe. Kjo do ta dëmtojë klimën biznesore në Kosovë”, thotë ajo.
Beqiri thotë se niveli qeveritar duhet të investojë më shumë tek promovimi i bizneseve në shtete të ndryshme të BE-së.
“Pakot gjithsesi ndihmojnë, posaçërisht për bizneset e vogla dhe të mesme. Mirëpo, sa i përket bizneseve të mëdha kanë nevojë për më shumë zgjerim të tregut, kanë nevojë për ndërkombëtarizim të tregut, për më shumë bashkëpunime me ambasadat tona jashtë. Këtu, gjatë takimeve që po mbajmë me ambasadat tona të jashtme, jemi duke pa mundësitë e promovimeve të bizneseve tona jashtë vendit. Një prej mënyrave është investimi në promovimin produkteve tona dhe Kosovës si shtet, sepse duhet të kemi parasysh se një numër i madh i vendeve të BE-së sikur ende e kanë një paragjykim sa i përket investimeve në Kosovë, sepse duket se ne dalim për lajme jo të mira. Dhe për këtë duhet investuar më shumë edhe në nivel qeveritar, por edhe individual secili, që të përmirësohet edhe imazhi i klimës së të bërit biznes në Kosovë”, shton Beqiri.
Mes tjerash, Beqiri foli edhe për gjendjen e bizneseve ne sektorin privat. Ajo derisa ka përmendur një numër të sfidave që po ballafaqohet sektori privat, thotë se ato po përballën edhe me statusin e kualifikuar dhe të trajnuar. Pasi sipas saj, problem në këtë drejtim është që pas trajnimit, të rinjtë po ikin në vende të ndryshme të BE-së.
“Bizneset përpos tjerave përballen edhe me statusin të kualifikuar dhe të trajnuar. Numri më i madh i stafit që po trajnohet në Kosovë është duke ikur jashtë, kjo është problematike, sepse universiteti, shteti i Kosovës, shkollat profesionale duhet të kenë fokus më të madh në krijimin e fuqisë punëtore për bizneset lokale, sepse ne momentin që ne i përgatisim për treg evropian pa kurrfarë konsiderate ndaj bizneseve lokale, kuptohet se aty ku janë trajnuar do të shkojnë. Po ashtu, ne jemi shumë të vegjël të garojmë me çmimet e pagave ose çmimin për orë që mund ta ketë dikush në Gjermani. Një prej zgjidhjeve do të ishte që ne si shtet posaçërisht pas liberalizimit të ndërtohen këto kapacitete prodhimi, të ndërtohen biznese, të përkrahen bizneset të cilat punojnë me shërbime, në mënyrë që t’i shohim sa më shumë gjeneratat e reja të punësohen brenda në Kosovë, pa pas nevojë të ikin jashtë shtetit”, thotë Beqiri mes tjerash.
Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) në mbledhjen e fundit ka marrë vendim që tarifat e reja të energjisë elektrike të rriten për 15.4 për qind.
Këto tarifa kanë hyrë në fuqi sot (e shtunë) dhe do të jenë të vlefshme deri më 31 mars të vitit 2024.
Konsumatorët që konsumojnë 300 kWh rritja do të jetë 2.88 euro, prej 450 kWh fatura mujore do të rritet 4.18 euro. Ata që konsumojnë 600 kWh do të paguajnë 5.49 euro më shumë, ndërsa konsumatorët që harxhojnë deri 800 kWh rritja e faturës do të jetë 7.23 euro. Për konsumatorët që shpenzojnë 1000 kWh do të paguajnë 10. 51 euro më shumë dhe ata që harxhojnë 1200 kWh kanë me paguar 13.8 euro më tepër.