“Kapërcimi i murit” nga Kadri Veseli: Nga takimi me Adem Jasharin në Tiranë deri tek komunikimet me NATO-n
“Kapërcimi i murit” nga Kadri Veseli: Nga takimi me Adem Jasharin në Tiranë deri tek komunikimet me NATO-n
Kjo fotografi e Kadri Veselit, i buzëqeshur e me uniformë ushtarake, me një granatahedhës të varur në shpinë e kallashnikov në dorë, është shkrepur në vitin 1998 kur guerila shqiptare po përballej me një nga agresorët më të fuqishëm të botës.
Është një nga imazhet e para të tij si luftëtar e nxjerrur në publik, 20 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë. I mistershëm për një kohë të gjatë, dhe pak i njohur për opinionin ai nuk ishte shfaqur me rrëfime për aktivitetin e tij në lëvizjen e shqiptarëve për liri dhe pavarësi në të cilën ishte një nga figurat qëndrore.
Për të, janë krijuar histori nga të tjerët.
Ai ka prapa vetes një histori të rëndësishme si një ndër themeluesit e UÇK-së, si pjesëtar i së cilës sot akuzohet për krime lufte nga Gjykata Speciale në Hagë. Akuzat që përfshijnë kohën e luftës kundër Serbisë, ai i ka hedhur poshtë krejtësisht. Lufta e vitit 1998-1999 e cila Kosovës i kushtoi me rreth 1 milionë persona të dëbuar, mbi 10 mijë civilë të vrarë, mijër të zhdukur, mijëra shtëpi të djegura, është rikthyer në subjekt të hetimit nga drejtësia ndërkombëtare.
Kapërcimi i Murit:
Kur një natë në vitin 1993 Kadri Veseli kapërceu murin që rrethonte shtëpinë e tij në Mitrovicë, për t’i takuar prindërit e tij, pak kush e dinte se jeta e tij kishte ndryshuar radikalisht. Ky kapërcim i murit, ishte edhe kapërcim ideologjik, politik e historik, me të cilin po ndërtohej një koncept i ri për shqiptarët e shtypur të Kosovës.
Shtëpinë e tij ai e kishte ndërruar me bodrumet e banesave të Prishtinës, malet e Kosovës dhe rrugët e Shqipërisë në rrugëtimin ilegal për ndërtimin e një vizioni dhe lindjen e një besimi të ri për vendin.
Një djalë i ri, që kishte shembur muret e frikës dhe regjimit brutal të Millosheviqit, po merrte pjesë në krijimin e rrëfimit të pabesueshëm për mundësinë e lirisë. Si i tillë, që bashkë me të tjerër po i prishnin llogaritë e kasapit të Ballkanit, Kadri Veseli ishte një nga më të kërkuarit e regjimit serb, por që nuk ja doli ta kapte asnjëherë. Sllobodan Millosheviqi, i cili mori fuqinë më 1989 për t’i plasur luftërat në Ballkan, kishte instaluar shtetin e dhunës dhe të frikës edhe në Kosovë. Por nuk i doli e lehtë.
Një grusht të rinjsh, të cilëve në fillim nuk u besonte pothuajse askush, për një kohë të shkurtër u shndërruan në guerilën më të suksesshme, dhe në projektin më të madh të shqiptarëve të quajtur Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Kadri Veseli ishte veç 14 vjeç kur ju bashkua protestave të vitit 1981 me të cilat po artikuloheshin kërkesat fundamentale për të drejtat e mohuara të shqiptarëve të Kosovës. Për shkak të moshës, të tjerët provonin ta largonin nga turmat e mëdha të demonstruesve, mbi të cilët, po ushtrohej dhunë. Por, kjo ishte rrugë një kahëshe e tij, e cila vazhdoi me angazhimin dhe lëvizjen studentore të vitit 1988 me organizimin e grupeve të armatosura në Kosovë dhe Shqipëri si dhe me luftën e UÇK-së.
Një takim i rëndësishëm, i pari i tij me Adem Jasharin, para Fakultetit Filologjik të Prishtinës, bashkë me Hashim Thaçin, më 1991, do ta shënonte kthesën e madhe të historisë së re të Kosovës.
Një vit më vonë, në Tiranë, ata do t’i konkretizonin planet për organizimin e luftës. Veseli, nuk i kaloi vetëm kufijtë e një mendësie, por edhe kufijt fizik, duke kaluar këmbë, dhjetra herë, kufirin me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Një rrugë kjo, që u shndërrua në linjë furnizimi me armatim për ushtarët e UÇK-së.
Pas rënies së Jasharëve, UÇK kishte fituar një mbështetje të madhe të popullit, e cila nisi të masovizohej pothuajse në të gjitha rajonet e Kosovës dhe duke marrë mbështetjen ndërkombëtare, për t’u dhënë fund vuajtjeve të popullit shqiptar.
Përpjekjet e Kosovës për liri kulmuan në vitin 1999 me Marrëveshjen në Rambuje dhe luftën që i dha fund NATO me një fushatë bombardimesh prej 78 ditësh, për caqet e të cilave, qendra e NATO-së, koordinohej edhe me Kadri Veselin.
Kadri Veseli, ditën e udhëtimit për në Hagë, ka deklaruar se ky proces është hapi i fundit në rrugëtimin e Kosovës drejt shtetndërtimit të plotë, dhe mundësi për të vënë në dukje luftën e drejtë dhe të ndershme. /Lajmi.net/