Osmani: Vuçiqi në veri po luan lojërat e Putinit
Osmani: Vuçiqi në veri po luan lojërat e Putinit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur një ligjëratë në Institutin Austriak për Politika Evropiane dhe Siguri.
Ajo aty foli për sukseset e Kosovës, si rritja e performancës për sundimin e rendit dhe ligjit si dhe synimin e paepur në rrugën evropiane. Ndër të tjera Osmani ka folur edhe për marrëveshjen e arritur me Serbinë në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Ajo ka thënë se nëse krahasohet me çfarëdo marrëveshje në 12 vjetët e shkuara të dialogut, kjo marrëveshje është bërë në mes të dy palëve kontraktuese, palëve të barabarta, shteteve të barabarta.
“Neni i parë respekton parimin e integritetit territorial, sovranitetin e të tjera. Në të njëjtën kohë, neni 4 ofron qartë si e zeza mbi të bardhë që Serbia s’duhet ta pengojë pranimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Asnjë”, ka deklaruar Osmani duke shtuar se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme edhe pse “ka disa që mund të thonë se s’ka nënshkrime”.
Ajo thotë se marrëveshja ka të bëjë pak me atë se çfarë thotë Serbia, por më shumë me garancitë që Kosova ka marrë nga komuniteti ndërkombëtar.
“Është më pak për raportet bilaterale Kosovë-Serbi (marrëveshja), por më shumë për zotimin që morëm nga aleatët se do të ketë shtytje të re të fuqishme që Kosova të bëhet anëtare e merituar dhe e barabartë komunitetit ndërkombëtar, e sidomos në organizatat ku s’kemi ulëse”, ka thënë Osmani.
Mesazh të tretë nga momentumi i ri, Osmani ka përmendur përkushtimin e ndërkombëtarëve që t’u përmbahen zotimeve, edhe nëse Serbia s’u përmbahet të vetave. Ajo ka akuzuar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, që po luan “lojërat e Putinit”
“Mitrovica është një nga katër qytetet në atë që ne e quajmë veri të Kosovës, por në fakt vetëm 1/3 e serbëve jetojnë atje. 2/3 jeton gjetkë në jug, në lindje, në perëndim. Për të thjeshtuar atë që po ndodh në këto 4 komuna, për 23 vitet e fundit, veçanërisht për 10 vitet e fundit, rreth dhjetë vjet që Vuçiq është në pushtet, ata kanë përdorur librin e lojërave të Putinit për abuzimin me komunitetet pakicë. Ata i bëjnë presion serbëve deri në atë masë sa i hedhin strukturat e tyre kriminale ilegale për të cilat ata kanë paguar, duke i mbështetur për disa vite në veri të Kosovës. Njerëzit të cilët janë më së shumti të rrezikuar nga këto struktura kriminale ilegale të udhëhequra nga Vuçiqi politikisht, por në veprim nga disa persona që janë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar, janë vetë serbët”, ka thënë ajo.
Osmani ka folur edhe për nenin 7 të marrëveshjes, që parasheh një vetëmenaxhim të komuniteti serb në Kosovë. Ajo ka thënë se kjo nuk nënkupton vetëmenaxhim të territorit.
“Këtu qëndron ndryshimi. Nuk është një vetëmenaxhim për territorin, por për komunitetin serb që nënkupton qytetarët”, ka thënë ajo.