Dëgjohet dëshmitari i katërt në gjykimin kundër Pjetër Shalës
Dëgjohet dëshmitari i katërt në gjykimin kundër Pjetër Shalës
Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka filluar të dëgjohet dëshmitari i katërt i prokurorisë në gjykimin kundër Pjetër Shalës. Ai ka folur për ngjarjet që lidhen me babain e tij, për të cilin ka thënë se në vitin 1999 ishte kidnapuar dhe mbajtur në Kukës të Shqipërisë.
Dëshmitari që mban numrin 9 ka folur fillimisht në seancë private për të vazhduar pastaj të përgjigjet në pyetjet e prokurorisë.
“Në vitin 1998 është larguar familja nga aty. Arsyeja ishte se aty (fshati) disa persona kishin shkuar dhe kishin kërkuar babain që ta marrin me vete, t’i dorëzojë armët dhe ta marrin me vete”, ka thënë dëshmitari.
Ai ka thënë se nuk ishte prezent aty por për ngjarjen ka mësuar nga familja e tij.
Dëshmitari ka thënë se, në bazë të asaj çka i ka treguar nëna e tij, dy persona ishin futur në oborrin e shtëpisë dhe e kishin kërkuar babain e tyre.
Sipas tij, ata persona ishin dërguar nga shtabi i Jabllanicës.
Dëshmitari i mbrojtur ka thënë se më vonë e kanë e kanë kuptuar që në grupin e personave që po qëndroni jashtë shtëpisë ishte edhe Pjetër Shala, i cili sot është në bankën e të akuzuarit.
“Babai e ka mësuar këtë emër atje ku ishte në Shqipëri i kidnapuar, atje kishte mësuar këtë emër. Nga personi vet, ai i ka treguar, Pjetër Shala”, ka thënë dëshmitari.
Tutje, dëshmitari ka thënë se familja e tij ishte larguar nga Kosova për në Shqipëri, me fillimin e bombardimeve të NATO-s.
Ai ka thënë se atje, babai i tij ishte kidnapuar nga katër persona dhe njëri prej tyre ishte i njohur për vëllain e tij.
“Nga kidnapimi aty është njohur një person nga ata të katërt që kanë qenë, atë e ka njohur vëllai i madh, ndërsa personat e tjerë nuk janë njohur dhe është dërguar me një veturë të vogël para se me shku në Kukës, ka pasur kërcënime gjatë rrugës, kështu e kanë çuar më vonë në Kukës, atje ku ka qëndruar deri në ditën e lëshimit”, ka thënë ai.
Sipas dëshmitarit, babai i tij ishte kërcënuar me vrasje si dhe keqtrajtuar mizorisht në Kukës.
“Është kërcënuar me vrasje, se cili do ta bëjë nga ta, kështu që djemtë e kanë njohur njërin nga ju dhe bëjeni cili të doni, u ka thënë ai… Më ka treguar se është keqtrajtuar mizorisht atje. Ai ka treguar që e kanë rrahur, me shkopa gome, hekuri, druri, i kanë pre me brisk lëkurën, e kanë rrahur deri në alivanosje”, ka thënë ai.
Sipas tij, atë e kishin rrahur disa herë si dhe e kishin pyetur se kush janë spiunët.
“Po, gjithmonë Pjetër Shala e ka hapur bisedën me të dhe ka thënë pse e ke kërkuar diku tjetër atë që ta ka gjuajtur kafenë (ne kishim një lokal), unë isha ai që ta kam gjuajtur kafenë, ai vet e ka pranuar atë, i ka thënë unë isha ai që ta kam gjuajtur kafenë dhe unë isha ai që isha të shtëpia jote, se nuk dole jashtë kur erdha unë aty, ai vet e ka pranuar këtë”, ka thënë dëshmitari.
Gjatë pjesës së parë të seancës, dëshmitari ka folur për tri incidente në familjen e tij, e në të cilat e ka përfshirë Pjetër Shalën.
“Incidenti i parë është se Pjetër Shala, ai ia ka thënë vet babait, unë ta kam gjuajtur kafenë me revole. Shtëpia (incidenti) ka ndodhur në vitin 1998, ndërsa kafeja ka ndodhur në vitin 96”, ka thënë ai.
Pjetër Shala po e ndjek seancën nga qendra e paraburgimit, përmes video-lidhjes.
Ai po qëndron në Hagë prej marsit të vitit 2021.
Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.