TË FUNDIT

Policia në Shqipëri sekuestron 8 mijë fidanë kanabis në Malësi të Madhe

Policia në Shqipëri sekuestron 8 mijë fidanë kanabis në Malësi të Madhe

Policia e Shtetit në Shqipëri ka zbuluar 27 sera me 8 mijë fidanë kanabis, të mbjellë në kubikë.

Malësia e Madhe është pjesë e qarkut të Shkodrës.

Aksioni është zhvilluar në vendin e quajtur “Badra e Mehajve” në Malësi të Madhe, në një zonë që ka shërbyer për të nxjerrë materie inerte.

Gropën e krijuar nga marrja e materieve inerte, trafikantët e drogës e kanë shfrytëzuar për ndërtimin e serave dhe mbjelljen e fidanëve.

Inertet e grumbulluara anash saj besohet se kanë shërbyer për të fshehur serën e ndërtuar.

Policia ka bërë të ditur se sera është ndërtuar 20 metra në thellësi të këtij krateri, ndërsa fidanët kanë qenë gati për t’u kultivuar në tokë, pas procesit të rritjes së tyre në kubikë.

“Është arrestuar shtetasi me inicialet N.D, 52 vjeç, i dyshuar si organizator i kësaj veprimtarie kriminale. Po hetohen në gjendje të lirë tre punonjës të Bashkisë së Malësisë së Madhe, konkretisht drejtori i Shërbimit Pyjor, një specialist i Ujësjellësit dhe një hidraulik”, ka thënë policia.

Në banesën e organizatorit të kësaj veprimtarie të paligjshme, policia ka sekuestruar tri armë gjahu, pesë armë të ftohta (thika) si dhe një sasi fishekësh.

Policia e Shkodrës u ka bërë thirrje fermerëve dhe banorëve të zonave rurale të mos jenë pre e individëve apo grupeve kriminale që merren me kultivimin e lëndëve narkotike.

Aksioni më i madh i Policisë së Shtetit kundër kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të hapura është zhvilluar në nëntor të vitit të kaluar.

Atëbotë janë zbuluar disa sera dhe janë sekuestruar 870 kilogramë kanabis.

Në këto sera kanë qenë të punësuara rreth 100 gra, të cilat pasi janë marrë në pyetje janë liruar, derisa në pranga kanë përfunduar 11 persona.

Një tjetër fenomen i përhapur së fundmi në Shqipëri është kalimi i ushtrimit të kësaj veprimtarie kriminale nga parcelat dhe serat, në ato që njihen si “shtëpi bari”, ambiente si banesa, magazina apo tunele që përdoren për kultivim bimësh narkotike.

Një ditë më parë, 28 mars, Policia e Shtetit ka zbuluar dhe sekuestruar dy “shtëpi bari” në qytetin e Krujës, ku janë gjetur 268 bimë kanabis, 51 llamba dhe pajisje të tjera elektrike, që kanë shërbyer për kultivim në ambiente të mbyllura.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *