Raporti vjetor i AGK-së: Rritet numri i sulmeve ndaj gazetarëve
Raporti vjetor i AGK-së: Rritet numri i sulmeve ndaj gazetarëve
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës publikoi sot raportin vjetor “Treguesit e nivelit të lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve” për vitin 2022.
Siç ka informuar AGK, raporti që është hartuar nga hulumtuesja, Getoarbë Mulliqi Bojaj, në kuadër të platformës rajonale Safe Journalists përshkruan më gjerësisht situatën e legjislacionit dhe çështjet socio-ekonomike e politike në raport me lirinë e medieve dhe sigurinë e gazetarëve në Kosovë.
Raporti fokusohet në tre tregues; kornizën ligjore, pozitën e gazetarëve në dhomën e lajmeve, si dhe sigurinë e gazetarëve.
Në konferencë u prezantuan gjetjet e raportit nga hulumtuesja Getoarbë Mulliqi Bojaj, Eksperti Ligjor i raportit, Yll Zekaj, si dhe kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha.
Sipas gjetjeve të këtij raporti, gjendja e sigurisë së gazetarëve vazhdon të jetë e rëndë, numri i sulmeve në drejtim të gazetarëve ka shënuar rritje nga 29 në vitin 2021, ka shkuar në 33 në vitin 2022, ndërsa vihet më në pah tendenca për heshtje të gazetarëve nëpërmjet padive SLAPP.
“Si rekomandime të raportit u theksua nevoja që gazetarët t’i raportojnë të gjitha rastet e shkeljes së të drejtave të tyre, bashkëpunim më i mirë i institucioneve të Republikës së Kosovës me mediet, si dhe të krijohet sa më shpejt Sistemi i Menaxhimit të të Dhënave nga KGjK për rastet e gazetarëve.”, u bë e ditur në komunikatë.