TË FUNDIT

Kryeshefi i IPK-së: Po hetojmë policë të të gjitha niveleve për përfshirje në veprimtari kriminale

Kryeshefi i IPK-së: Po hetojmë policë të të gjitha niveleve për përfshirje në veprimtari kriminale

Inspektorati Policor i Kosovës ka hetuar 257 punonjës policorë gjatë vitit 2022, derisa ka arrestuar 108 prej tyre në dyshimet për përfshirje në veprimtari penale.

Kryeshefi i Inspektoratit Policor, Kushtrim Hodaj, në raportimin në Komisionin Parlamentar për Siguri të martën, tha se vitin e kaluar kanë pranuar rreth 1700 ankesa, ku 66 për qind prej tyre i kanë adresuar për hetim disiplinor në Polici, kurse 34 për qind për hetim penal.

“Gjatë vitit 2022 kemi administruar 1697 ankesa të pranuara në mënyra të ndryshme nga ana e qytetarëve. 34 për qind prej tyre i kemi orientuar për hetim penal në departamentin e hetimeve në kuadër të Inspektoratit të Kosovës, pjesën e mbetur prej 66 për qind i kemi orientuar për hetim disiplinor apo administrativ në divizionin e hetimeve të brendshme në kuadër të Policisë së Kosovës. Në fushën e parandalimit dhe hetimit të veprimtarisë penale kemi pasur angazhim të shtuar duke shënuar rezultate të larta që nga themelimi i IPK-së. Kemi hetuar 257 punonjës policorë, kemi arrestuar 108 punonjës policorë dhe qytetarë në dyshimet për përfshirje të veprimtarive penale. Kemi rekomanduar suspendimin e 164 punonjësve policorë”, tha Hodaj.

Përkitazi me këtë, Hodaj tha se edhe aktualisht janë duke hetuar zyrtarë policorë të niveleve të ndryshme për përfshirje në vepra kriminale.

“Kemi shumë raste në hetim, sigurisht për rezultatet dhe epilogun e tyre njoftoheni në momentin e duhur. Ka të gjitha niveleve, ne kemi arrestuar dhe të kaluarën. Tash ka të niveleve të ndryshme, ka informacione për të përfshirë në veprimtari të ndryshme kriminale”, shtoi ai.

Në anën tjetër, nga deputetët opozitarë u ngritën shqetësime për rekrutimin në njësitin e specializuar Mbrojtja e Afërt.

Kryetari i Komisionit për Siguri, Bekë Berisha, tha se është shqetësuese nëse disa kandidatë kalojnë tw gjitha kriteret dhe në prag të certifikimit ata diskualifikohen.

Ai pyeti kryeshefin e IPK-së se a ka pasur ndikim politika në këtë rast.

“Kam pasur ankesa dhe e di si është shkuar puna në konkursin e fundit të mbrojtjes së afërt me disa policë. Në ditën e fundit kur kanë pasur me u certifikuar ka ndodhur një problem aty, është prishur ceremonia dhe ata pasi kanë kaluar gjitha kriteret me u pranu, si duket dikush ka ndikuar që ata mos të kalojnë. A ka ndikuar politika në këtë rast”, tha pyeti.

Në lidhje me këtë rast reagoi edhe deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, i cili tha se moscertifikimi i zyrtarëve policorë për arsye banale në mbrojtjen e afërt është humbje e madhe për Policinë e Kosovës.

“Është humbje e madhe dhe shpenzim i madh kur një operatorë qoftë në FIT apo Mbrojtjen e Afërt i kryen të gjitha fazat e trajnimit dhe në fund nuk certifikohet për ndonjë arsye banale”, theksoi ai.

Mirëpo, kryeshefi i IPK-së, Kushtrim Hodaj, tha se në këtë rast s’ka pasur ndikim politik, përkundrazi janë zbatuar kriteret e rekomanduara për rekrutim.

Ai tha se IPK-ja ka rekomanduar që zyrtarët që rekrutohen për njësitin Mbrojta e Afërt të kenë edhe certifikatën e sigurisë të lëshuar nga AKI-ja, ku bëhet verifikimi i hollësishëm i të kaluarës.

Në bazë të kësaj ai tha se kanë mundur të diskualifikohen disa prej kandidatëve.

“Nuk kemi pasur informacione që ka pasur ndikim, përkundrazi unë e thash se rekomandimi ynë për të rritur dhe zbatuar kriteret e verifikimit mund të ketë qenë një nga arsyet që këta zyrtarë janë diskualifikuar. Të njëjtën kohë ne kemi zhvilluar një inspektim që nuk lidhet me këtë rast, ne në atë kohë kemi dhënë rekomandime… Janë dy lloje të verifikimit që bëhen. Është nëse zyrtari që rekrutohet ka të kaluar të shkeljeve penale, disiplinore, por ajo që ne kemi rekomandu është që zyrtarët e njësitit të Mbrojta së Afërt me qenë se kanë qasje në informacione, në agjendë të presidentes, kryeministrit dhe niveleve të larta, ata duhet të verifikohen dhe të kenë lejen e sigurisë nga Agjencia Kosovare për Inteligjencë (AKI)”, theksoi ai.

Krahas këtyre, Hodaj nënvizoi se prioritet i tyre është luftimi i korrupsionit në Policinë e Kosovës dhe ruajtja dhe fuqizimi i integritetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *