Mësohen shkaktarët e zjarrit në IML, bëhen të ditura edhe dëmet
Mësohen shkaktarët e zjarrit në IML, bëhen të ditura edhe dëmet
Defekti në instalimin elektrik po dyshohet se ka qenë shkaktari i zjarrit që kaploi një pjesë të objektit të Institutit të Mjekësisë Ligjore mbrëmjen e së shtunës. Madje, zëvendësdrejtori i IML-së, Ditor Haliti e përjashton mundësinë që dora e njeriut ta ketë shkaktuar zjarrin.
E nga ky zjarr dëmet po konsiderohet se nuk janë të mëdha, por që komisioni vlerësues do të bëjë vlerësimin e dëmit të shkaktuar.
Zëvendësdrejtori i institutit thotë se ka vetëm dëme materiale jo me vlerë të madhe.
Ai thekson se me të marr informacionin në kohë ishin ekipet e zjarrfikësve dhe të policisë të cilët arritën ta lokalizonin zjarrin.
“Zjarrfikësit dhe Policia kanë qenë të thirrur dhe kur kam ardhur unë, rreth orës 21:00, ata vetëm ishin futur në objekt tek pjesa ku dilte tymi dhe pas një kohe kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin, ta largojnë tymin dhe kemi mundur të futemi brenda dhe të vlerësojmë dëmet e shkaktuara. Për fat të mirë ka vetëm dëme materiale jo besoj në vlerë të madhe, janë djegur disa pako të zbrazëta të cilat pastaj e kanë dëmtuar një pjesë të murit dhe tavanit, mirëpo dëme tjera serioze nuk ka. Sa i përket shkaktarit natyrisht policia, hetuesia i kanë thirrur edhe ekspertët e zjarrit dhe ekspertët të elektroteknikës dhe sipas një vlerësimi preliminar mendohet se është për shkak të një defekti në instalimin elektrik. Por megjithatë për ta konfirmuar këtë duhet të presim raportin përfundimtar nga ekspertët e caktuar dhe prokuroria”, shprehet Haliti.
Ai thotë se nga zjarri është dëmtuar një pjesë e objektit që është shfrytëzuar për qëllime logjistike dhe po ashtu disa pako letre që kanë qenë të zbrazëta.
Sipas tij, falë intervenimit të shpejtë nuk ka pasur rrezik që zjarri ta kaplojë gjithë IML-në.
“Ato pako kanë qenë të palosura nuk kanë qenë pako kanë qenë vetëm pjesë e kartonit që ne më vonë e shfrytëzojmë për pako, ka qenë pjesë e morgut që është shfrytëzuar për qëllime logjistike dhe ato pako kanë qenë të zbrazëta të palosura dhe nuk kanë pasur kurrfarë materiali brenda neve vetëm na janë dashur vetëm si pjesë e punës në të ardhmen… Për fat të mirë rrezik nuk ka pasur aty ndoshta edhe duke iu falënderuar intervenimit të shpejtë të zjarrfikësve dhe policisë, nuk ka pasur ndonjë rrezik por në të ardhmen nuk duhet as të mendojmë për mundësinë e zjarrit e lëre më ta kemi një zjarr këtu”, thekson zv.drejtori i IML-së.
Ditor Haliti përjashton mundësinë që dora e njeriut të ketë shkaktuar këtë zjarr, pasi shton se edhe në pamjet e kamerave të sigurisë shihet që shkëndija flake dalin si pasojë e instalimit të rrymës.
“Ne i kemi shikuar edhe kamerat së bashku me Policinë dhe shihet shumë qartë momenti se kur fillon zjarri dhe nuk ka kurrfarë elementi, faktori njeri përjashtohet plotësisht dhe në bazë të kamerave shihet qartë se ka qenë thjesht një aksident për shkak të defektit elektrik”, thotë Haliti.
Ndërsa, për këto dëme Instituti i Mjekësisë Ligjore do të formojë një Komision për vlerësim të dëmeve. Sipas Halitit, është e nevojshme të instalohet një sistem i mirë instalimi që mos të rrezikohet ky institucion.
“Sot jemi duke u marr me pastrimin e asaj pjese do të formohet një Komision që do ta bëjë vlerësimin e dëmit dhe pasi të bëhet vlerësimi i dëmit do të dalim me rekomandime se si duhet ta rregullojmë atë pjesë në të ardhmen. Mbështetja nga ministrja nuk ka munguar ata janë të gatshëm të na përkrahin por edhe qeveria me këtë çështje. Por, është e rëndësishme që ne ta instalojmë një sistem në të ardhmen i cili do t’i parandalonte për aq sa mundet ngjarjet e tilla të cilat mund ta rrezikojnë vetë objektin”, thekson ai.
Ndërsa zëdhënësja për medie nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, Laureta Ulaj ka deklaruar për KosovaPress se janë në pritje të raporteve me të gjeturat nga ekzaminimet e kryera.
“Prokuroria është në pritje të raporteve me të gjeturat nga ekzaminimet e kryera, si dhe në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, IML-në dhe institucionet e tjera relevante është duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore deri në sqarimin e plotë të rastit në fjalë”, thuhet në përgjigjen me shkrim.
E gjatë ditës së djeshme Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte njoftuar se lidhur me incidentin e zjarrit në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë të shtunën, janë intervistuar zyrtarë të IML-së, të cilët kanë qenë kujdestarë në kohën kur ka ndodhur incidenti.