TË FUNDIT

Qeveria deklarohet për takimin e Kurtit me Ramën dhe diskutimet për zhvillimet e fundit

Qeveria deklarohet për takimin e Kurtit me Ramën dhe diskutimet për zhvillimet e fundit

Gjatë qëndrimit për vizitë pune në Tiranë, kryeministri Albin Kurti, u mirëprit për një drekë pune nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Fokusi i takimit ishin bisedimet e 18 marsit në Ohër dhe dakordimi për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes Bazë, të 27 shkurtit në Bruksel.

Kryeministri Kurti e njoftoi kryeministrin Rama për dinamikat e takimit, propozimet kreative të delegacionit negociator të Kosovës dhe për qasjen konstruktive të tij e Qeverisë së Kosovës gjatë gjithë procesit që i ka paraprirë marrëveshjes.

“Duke folur për zhvillimet e bisedimeve, ai po ashtu e njoftoi kryeministrin Rama për refuzimet e Serbisë ndaj ofertës së tij për draftimin e statutit për zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjes Bazë mbi bazën e tri shtyllave që i referohen Kushtetutës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese të dhjetorit të 2015-së, letrës së ish-përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini të gushtit të vitit 2015 dhe qëndrimit amerikan të artikuluar nga këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan, Chollet dhe emisarit amerikan Escobar të janarit 2023, dhe nënshkrimit të aneksit të zbatimit të Marrëveshjes Bazë në Bruksel, sikurse edhe vetë marrëveshjen”,thuhet në njoftimin për media.

Gjatë takimit u diskutua edhe për marrëdhëniet shumë të veçanta, të ngushta dhe të afërta ndërmjet dy republikave dhe për bashkëpunimin e dy qeverive. Me këtë rast, u dakordua që mbledhja e nëntë e përbashkët e dy qeverive të mbahet në qershor, kësaj radhe në Shqipëri./Lajmi.net/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *