Pashallëqet shqiptare, dividi dhe kama e shkruesit të Ali Pashë Tepelenës
Pashallëqet shqiptare, dividi dhe kama e shkruesit të Ali Pashë Tepelenës – Nga Dorian Koçi
Në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar gjenden rreth 6200 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore, duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Rëndësia e tyre nuk shtrihet vetëm në rolin ekspozues e ilustrues të historisë por edhe në rolin e rrëfimit të historisë dhe epokës që përfaqësojnë. Në këtë mënyrë muzeologjia i vjen në ndihmë historisë përmes dokumentimit dhe ilustrimit të ngjarjeve dhe epokave historike duke e vendosur historinë e territoreve ku banojnë sot shqiptarët në një histori integrale të Mesdheut.
Dokumentet, koleksionet muzeore dhe gjuha formësojnë një identetitet të përbashkët kulturor të shqiptarëve në rajon, por përmes koleksioneve të veçanta muzeore historia jonë mund të rrëfehet jo vetëm si një histori lineare por edhe si një histori integrale e Mesdheut.
Një kënd të veçantë në katin e dytë të Muzeut Historik Kombëtar zënë pashallëqet shqiptare: Pashallëku i Shkodrës në veri, me Bushatllinjtë në krye dhe Pashallëku i Janinës në jug, me Ali Pashë Tepelenën në krye. Në Perandorinë Osmane fjala “pashallëk” kishte kuptimin e një territori, që qeverisej nga një pasha. Ky term nënkupton një unitet ekonomik dhe politik të qëndrueshëm brenda shtetit Osman. (Stavri Naçi, Pashallëku i Shkodrës nën sundimin e Bushatllinjve 1757-1796, Mihal Duri, Tiranë 1964, faqe 47). Pashallëqet shqiptare përfshinin disa sanxhaqe. Pashallëku i Shkodrës përfshinte gjithë Shqipërinë e Veriut, ndërsa Pashallëku i Janinës përfshinte Shqipërinë e Jugut dhe Greqinë e Veriut. Të dy pashallëqet kishin financat e tyre. Të ardhurat grumbulloheshin nga çifligjet, tregëtia, zejtaria, si dhe nga vjelja e taksave. Pashallëqet kishin vulat e tyre. Ali Pashë Tepelena kishte stemën heraldike të pashallëkut të tij, e cila si simbol kishte një luan të kuq duke mbrojtur tre këlyshët e tij. (Dorian Koçi, Gjenealogjia e Ali Pashë Tepelenës, Streha, Tiranë, 2014, faqe 189).
Në kryeqendrat e pashallëqeve, në Janinë dhe në Shkodër kishte konsullata të shteteve më të fuqishme të kohës, si Franca, Anglia, Austria etj. Pranë selisë së Ali Pashë Tepelenës, Napoleon Bonaparti dërgoi Konsullin François Pouqeuville, ndërsa në Shkodër, Konsullin Mark Bryeren. Pashallëqet e mëdha shqiptare vepronin si shtete brenda shtetit osman. Kur kriza e sistemit feudal ushtarak përfshiu Perandorinë Osmane, sidomos nga gjysma e dytë e shek. XVIII deri në fillim të shek. XIX, këta sundues të lartë të pushtetit vendor hynë në konflikt me pushtetin sulltanor dhe kërkuan shkëputjen e pashallëqeve të tyre nga Perandoria Osmane. (Petrika Thëngjilli, Historia e popullit shqiptar (395-1875), Shtëpia botuese e librit universitar, Tiranë, 1999, faqe 289-291). Sipas studiuesit Dritan Egro, krerët e pashallëqeve politikisht qenë shtetas të Perandorisë Osmane. Gjeografikisht ata sundonin në territore shqiptare, ndërsa etnikisht qenë shqiptarë dhe fetarisht i përkisnin besimit islam, por nga osmanët identifikoheshin si “Arnavud”. Pashallëku i Janinës ra në vitin 1822, ndërsa Pashallëku i Shkodrës më 1831. (Dritan Egro, Bushatllinjtë dhe Ali Pasha thyen ligjet e Portës së Lartë, Panorama, 23 nëntor 2015, faqe 18).
Objekte shumë interesante dhe aspak të studiuara në këndin e Pashallëqeve Shqiptare janë kama dhe dividi i shkruesit të Ali Pashë Tepelenës. Kama e shkruesit të Ali Pashë Tepelenës është bashkë me këllëfin. Bashkimi i tyre bëhet me anën e një zinxhiri. Doreza e kamës dhe këllëfi janë të zbukuruara me ornamente të ndryshme. Dividi i shkruesit të Ali Pashë Tepelenës është prej argjendi të punuar me teknikën e gdhendjes me ornamente të ndryshme. Ngjitur me këllëfin ku futet pena gjendet kutia e bojës. Dividi daton në vitin 1818. Këtë fakt e mësojmë nga mbishkrimi që gjendet i gdhendur në pjesën e poshtme të tij. ΔΑΜΩ ΠΠΑΝΚΛΑ ΜΑΡΓΗΑΝΗ 1818 “DHAMO BANKLA MARJANI 1818”.
Dividi i përket një prej sekretarëve të Ali Pashë Tepelenës, Dhamo Marjanit nga Zagoria. Emri Dhamo, është shkurtimi në shqip i emrit Dhamiano/Damian, ndërsa Marjani është një mbiemër që gjendet edhe sot në Zagori. Emri në mes Bankla është shkruar me dy P në greqisht, çka në greqishten popullore që kish filluar të përdorej gjerësisht në Pashallëkun e Janinës si gjuhë korrespodence, nënkuptonte gërmën B. Gjuha greke e përdorur në mbishkrim është një faktor paksa i vështirë për të përcaktuar origjinën etnike në Pashallëkun e Janinës. Kjo jo për arsyen se kishte një turbullim linguistik në popullsinë shqiptare për të përdorur shqipen, por edhe se përdorimi i greqishtes si gjuhë e oborrit të Ali Pashës shërbeu si pikë takimi midis shumë grupimeve komunitare të kohës.
Gjuha e Aliut ishte shqipja dhe shumë dëshmitarë tregojnë se kur Aliu përdorte shqipen dhe turqishten për korrespodencën e tij personale, ai e shkruante me alfabetin grek, duke transkriptuar çdo lloj gjuhe që përdorte në alfabetin që njihte më mire (Katherine Flemming. Bonaparti Mysliman.Tiranë. Dituria: 2002, faqe 88-89). Gjithsesi ia vlen për të përmendur se ky faktor identiteti nuk përcaktonte kategori të ndara qartë. Shpesh ajo mbivendosej mbi faktorë të tjerë dhe ndryshonte paradoksialisht sipas rrethanave të çastit. Një shembull në këtë drejtim është ai i popullsisë shqiptare të Sulit, të cilët gërthisnin shqip sfidën ndaj letrave kërcënuese që u dërgonte greqisht Ali Pasha (Henry Baerlein. Sourthen Albania: Under the Acroceraunian Mountains. Chicago:1968, faqe 22). Gjatë sundimit të Ali Pashë Tepelenës gjuha nuk kishte fituar akoma identitetin ndarës që e gjejmë pas formimit të shteteve nacionalë në Ballkan.
Zbukurimet dhe ornamentet me argjend të dividid dëshmojnë për egzistencën e një mjeshtërie të lartë të punimit të argjendit. Punishte të tilla gjendeshin në Janinë dhe në Berat. Zhvillimi i hershëm i argjendarisë, gjeti pasqyrimin e vet dhe në fushën e organizimin profesional me esnafët përkatës të kësaj zejeje, që konsideroheshin ndër institucionet më të vjetra të kësaj gjinie në të gjithë Turqinë evropiane (Z. Shkodra, Esnafët. Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Instituti i Historisë, Tiranë:1973, f.182).
Punimet me argjend ishin të destinuara jo vetëm për tregun e brendshëm por edhe për shijet dhe kërkesat e e vendeve të huaja. Prodhimet me argjend ishin në një pjesë të madhe të kushtuara veshjes dhe zbukurimit të grave por përdoreshin për të zbukuruar edhe sendet personale të burrave. Zakonisht produktet që përdornin burrat të dekoruara me argjend ishin cigarishte, qostekë sahatësh, zbukurime armësh, takëme kuajsh, ikona, kryqe, kandile, shandane, zarfa, filxhanë etj (Zija Shkodra, Qyteti shqiptar gjatë Rilindjes Kombëtare, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Instituti i Historisë, Tiranë:1984, f.151).
Në Shqipëri kishte disa qendra qytetare të prodhimit të zbukurimeve me argjend, por karekteristikë e këtyre qendrave ishte se kishin një përngjasim midis qendrave në veri dhe në jug. Konsulli i Francës në Janinë vërente më 1881 se punimet e filigranës të Shqipërisë së Jugut u “përngjisnin atyre të Prizrenit dhe konsistonin në punimin e gojzave të çibukëve, të zarfeve të filxhanëve, të pjatave me ëmbëlsira etj…, të cilat në Gjenevë janë më delikate dhe më të çmuara, megjithës përmbajnë më pak argjend. Zbukurimet me ngulitje realizohen mjaft mirë, por me kusht që të kenë përpara ndonjë model (Zija Shkodra, Qyteti shqiptar gjatë Rilindjes Kombëtare, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Instituti i Historisë, Tiranë:1984, f.153).
Në divid është gdhëndur viti 1818. Viti 1818 është i një vit i rëndësishëm për jetën politike të Pashallëkut të Janinës. Në këtë vit Ali Pashë Tepelena i gjendur i vetëm dhe pas asnjë aleat, pasi Kongresi i Vjenës në 1815 kishte vendosur paqen në Evropë dhe në pamundësi për të ndjekur më lojërat politike midis Rusisë, Britanisë së Madhe dhe Francës, vendosi për tu lidhur me elitat politike greke të “Filiqi Eterisë”.
Proceset kulturore, politike dhe ekonomike që po kalonte Pashallëku i Janinës bënë të mundur që të evolonte dhe mendimi politik i Ali Pashë Tepelenës për të ardhmen e tij dhe të territorit që sundonte. Për më tepër, një vëzhgim i detajeve shtetformuese të Pashallëkut të tij, na ndihmon të kuptojmë që ai po përgatitej prej kohësh për shkëputjen e madhe. Në të njëjtën kohë është i vërtetë fakti se kjo dëshirë dhe qëllim nuk u shfaq që në fillimet e ngjitjes së tij në pushtet dhe se ideja për t’u shkëputur nga Perandoria Otomane evoluoi në varësi të zhvillimeve në Ballkan.
Në fund të shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit XIX, territoret bregdetare dhe perëndimore ballkanike, kaluan përmes një procesi të dyanshëm zhvillues, që ishte sa përfshirës po aq dhe i veçantë, në krahasim me krahinat e tjera të Perandorisë Otomane. Rritja cilësore e pranisë perëndimore në kuadrin e tri Perandorive, asaj franceze, britanike dhe ruse, solli si impakt idenë se sovraniteti shumëshekullor osman, mund të ishte i lëvizshëm. Jehona e betejave dhe fitoreve të largëta, të Otomanëve të shekullit XVI dhe XVII, dalëngadalë filluan të zhbëhen dhe realitetet e fitoreve Napoleoniane, filluan të ndikojnë në mendimin politik të kohës duke zënë vend shqetësimi diplomatik, se çdo të bëhej me këto territore në rastin e një tërheqje të mundshme të Otomanëve. Ky është momenti historik, kur Ali Pasha Tepelena fillon bisedimet diplomatike me rusët, francezët dhe anglezët dhe hyn përfundimisht në spiralet e një loje politike rajonale, që shpesh herë ia kaloi për nga përmasat dhe caqet e kësaj loje. Në varësi të evoluimit, të këtyre bisedimeve dhe ideve, Ali Pasha Tepelena, adoptoi një qëndrim moderues, duke kapërcyer shpesh herë dhe vetveten nga një Pasha me botëkuptim otoman, në një princ me prirje europiane.
Historia e Pashallëkut të Janinës përveçse burimeve të shkruara të dokumentacionit të Ali Pashë Tepelenës të botuar së fundmi dhe në shqip apo dhe veprave të shumë udhëtarëve të huaj apo diplomatëve evropianë që shërbyen si konsuj në Janinë, nëpërmjet objekteve të tilla të rëndësishëm mund të rindërtohet si një mozaik i tërë, ku padyshim çdo objekt ndihmon të rrëfejë përmes të veçantës së tij, epokën, zhvillimin urban dhe historinë lokale.
Burimi: doriankoci.blogspot.com
The post Pashallëqet shqiptare, dividi dhe kama e shkruesit të Ali Pashë Tepelenës first appeared on In For.