Haradinaj kujton martirët: Sakrifica e tyre është dëshmi për t’i mbrojtur vlerat për të cilat ata dhanë jetën
Haradinaj kujton martirët: Sakrifica e tyre është dëshmi për t’i mbrojtur vlerat për të cilat ata dhanë jetën
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kujtuar civilë e vrarë pas fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s 24 vjet më parë.
“Pas fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s më 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe kishin intensifikuar edhe më shumë krimet, gjenocidin dhe dëbimin e popullatës shqiptare nga Kosova, duke mos kursyer as pleqtë, gratë dhe fëmijët”, shkroi Haradinaj në Facebook.
“Krusha e Madhe dhe Krusha e Vogël na kujtojnë në çdo fundmars se sa e madhe ishte sakrifica e këtij populli për lirinë e Kosovës. Mbi 350 motra e vëllezër tanë të pafajshëm, mizorisht i ndanë nga ne, ata që nuk patën mëshirë për askënd, ata që tentuan zhbërjen e qenies shqiptare nga dheu”, shtoi ai.
Gjithashtu, Haradinaj ka kujtuar 49 martirët e familjes Berisha nga Suhareka, të cilët u ekzekutuan mizorisht 24 vjet më parë, e ku 19 prej tyre ishin fëmijë.
“Kujtimi i martirëve dhe sakrifica e tyre është dëshmi për t’i kultivuar më tej dhe mbrojtur vlerat për të cilat ata dhanë jetën. I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!”, ka shkruar Haradinaj.