Kosova shënoi rritje në eksport gjatë shkurtit, importi mbetet rreth 5 herë më i lartë
Kosova shënoi rritje në eksport gjatë shkurtit, importi mbetet rreth 5 herë më i lartë
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar raportin e eksportit dhe importit për muajin shkurt të këtij viti. Sipas raportit, importi vazhdon të jetë shumë më i lartë se eksporti në Kosovë, duke shkaktuar një varshmëri të madhe të ekonomisë në produktet e huaja. Megjithatë, raporti tregon se krahasuar me shkurtin e vitit të kaluar, shkurti i vitit 2023 ka shënuar një rënie më të ulët të deficitit tregtar (-9.2 për qind) për muajin shkurt 2023.
Në muajin shkurt të këtij viti, vlera e eksporteve ishte 73,1 milionë euro, ndërsa importet ishin 390,6 milionë euro. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, vlera e eksporteve ka rritur me 12,1% ndërsa importet kanë rënë me (-5.8 për qind).
Sipas të dhënave për grupet kryesore të eksportit, 20,1 për qind e eksporteve përbëhet nga metalet bazë dhe produktet e tyre, 16,2 për qind nga artikuj të ndryshëm të përpunuar, 14,1 për qind nga produktet minerale, 13,1 për qind nga plastika, goma dhe produktet e tyre, 8,1 për qind ushqime të përgatitura, pije dhe duhan, 4.0 për qind e tekstileve dhe produkteve të tyre, e kështu me radhë.
Ndërkohë, sipas të dhënave për grupet kryesore të importit, 12,8 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 12,0 për qind produktet minerale, 11,8 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 9,9 për qind pajisjet e transportit, 9,7 për qind metalet bazë dhe produktet e tyre, 7.4 për qind e produkteve kimike, 6.1 për qind e plastikës, gomës dhe produkteve të tyre etj.
Kujtojmë se Kosova mbetet njëra ndër shtetet me deficitin më të lartë tregtar. Nëse shikojmë raportet mujore, mund të vihet re disbalanca e lartë e Kosovës në eksport dhe import, me këtë të fundit që vazhdon të jetë shumë më i lartë.
Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, importi i Kosovës gjatë vitit 2022 ka arritur vlerën mbi 5.6 miliardë euro ndërsa eksporti mbi 860 milionë euro.
Krahasuar me vitin 2021, siç përcjell Nacionale, eksportet janë rritur me mbi 100 milionë euro, ndërsa importet me mbi 1 miliard euro. Kjo diferencë e madhe në import dhe eksport rezulton që deficiti tregtar i Kosovës të arrijë vlera rekord.
Nëse shikojmë të dhënat e importit në 5 vitet e fundit në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, eksporti ka shpërthyer që nga viti 2021.
Deri në vitin 2020, Kosova ka përjetuar rritje në eksport tepër të ngadaltë, dy vite më pas është dyfishuar duke arritur mbi 860 milionë euro në vitin 2022.
Vendi ka pasur thuajse të njëjtin fat edhe me importin i cili që nga viti 2020 (3.2 miliardë) deri në vitin 2022 (5.6 miliardë) gati është dyfishuar.
Sa i përket shkëmbimit të mallrave me Serbinë, importet me këtë vend gjatë vitit 2022 preken shifrën e 371.6 milionë eurove. Kjo shifër u përdor shpesh nga opozita për të akuzuar pushtetin se nën qeverisjen e tyre tregu kosovar po pushtohet nga produktet serbe.