Nga e hëna vazhdon instalimi i matësve të ngrohjes në Prishtinë
Nga e hëna vazhdon instalimi i matësve të ngrohjes në Prishtinë
Projekti për instalimin e matësve të nxehtësisë, valvulave termostatike dhe termokokave do të vazhdojë nga e hëna më 27 mars.
Sipas njoftimit të Termokosit, ekipet e kompanisë punëkryese nga mëngjesi i të hënës do të fillojnë instalimet e këtyre pajisjeve në objektet banesore tek Bulevardi “Nëna Terezë” në lagjen “Qendër”.
“Nëpërmes këtyre pajisjeve konsumatorët do të kenë mundësi të kontrollojnë shpenzimet e tyre për ngrohje, përkatësisht nëpërmes kursimit të energjisë ngrohëse do të kenë mundësinë, që të zvogëlojnë edhe shpenzimet e tyre për ngrohje. Instalimi i këtyre pajisjeve do t’i paraprijë ndryshimit të mënyrës së faturimit nga metoda bazuar në sipërfaqen ngrohëse tek metoda më e re dhe më e saktë, sipas konsumit. NP “Termokos” apelon tek të gjithë konsumatorët tanë, që të bashkëpunojnë me ekipet punëkryese, të mirëpresin ato në banesat e tyre për të mundësuar instalimin e këtyre pajisjeve dhe realizimin e plotë të projektit “Prishtina Heat Save”. Të gjithë ata konsumatorë, që nuk do të jenë në banesë, duhet të kontaktojnë në numrin pa pagesë 0800 999 00 për të caktuar terminin më të përshtatshëm për të pritur ekipet instaluese”, thuhet në njoftim.
Të gjitha pajisjet, që instalohen në radiatorët e konsumatorëve tanë do të jenë falas, në saje të një donacioni në vlerë të 10 milion dollarëve, të ndarë nga Qeveria amerikane nëpërmes Millennium Challenge Corporation (MCC).