Sekretari i NATO-s: Marrëveshja e Ohrit të zbatohet plotësisht nga të dyja palët
Sekretari i NATO-s: Marrëveshja e Ohrit të zbatohet plotësisht nga të dyja palët
Sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar sot se tani e rëndësishme është që të nisë zbatimi i plotë i marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Ohër.
Stoltenberg ka potencuar se marrëveshja duhet të zbatohet plotësisht dhe shpejt nga të dyja palët.
“Edhe unë e mirëprita marrëveshjen, dhe e rëndësishme tani është zbatimi i plotë, shpejtësia dhe zbatimi i plotë i marrëveshjes ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Dhe sigurisht, ne mbështesim fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE, aleanca e NATO-s dhe mbështetja politike e NATO-s. Ne kemi qenë në kontakt të ngushtë me BE-në, por edhe me Prishtinën dhe Beogradin dhe sigurisht i mbështesim edhe përpjekjet për të gjetur një zgjidhje paqësore përmes misionit tonë të KFOR-it, afër 4000 trupave të NATO-s në Kosovë, të cilat janë kyçe për të lehtësuar dhe mbështetur një proces politik. Pra, ne e mirëpritëm marrëveshjen, mesazhi është që ajo duhet të zbatohet plotësisht dhe shpejt nga të dyja palët.”, ka thënë ai.
Kujtojmë që, Kosova dhe Serbia më 18 mars janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit të planit evropian, i cili do të jetë i obliguar për të dyja palët në momentin e publikimit të tij. Kështu ka thënë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një deklaratë për media, pas dialogut 12 orësh në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e BE-së, në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kanë arritur pajtim publik me Serbinë për zbatimin e aneksit të marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, ai ka thënë se Serbia sërsh nuk e ka nënshkruar të njëjtin. Sipas tij, i takon BE-së tani që të gjejë mekanizma për të detyruar Serbinë të firmosë ujdinë.