Sefer Isufi emërohet këshilltar ushtarak i presidentes Osmani
Sefer Isufi emërohet këshilltar ushtarak i presidentes Osmani
Gjeneral brigade, Sefer Isufi, është emëruar këshilltar ushtarak i presidentes së vendit, Vjosa Osmani.
Isufi është dërguar në Presidencë nga Forca e Sigurisë së Kosovës, me kërkesë të komandantes supreme.
Osmani ka thënë se përvoja e Isufit do të kontribuojë edhe më shumë në zhvillimin dhe zbatimin e politikave shtetërore në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
“Presidentja Osmani, duke i uruar mirëseardhje Gjeneral Isufit, ka theksuar se përvoja e tij profesionale do te kontribuojë edhe më shumë në zhvillimin dhe zbatimin e politikave shtetërore në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë”, thuhet në njoftim.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se gjeneral Isufi ka përvojë të gjatë ushtarake si dhe është i diplomuar në fushën e sigurisë në Kolegjin e Luftërave Tokësore.
“Gjeneral brigade Sefer Isufi ka përvojë të gjatë ushtarake dhe është i diplomuar në fushën e sigurisë në Kolegjin e Luftërave Tokësore, pastaj në Universitetin e Mbrojtjes së Turqisë, respektivisht Institutin për Komandim dhe Drejtim Strategjik të Forcave të Armatosura në Stamboll. Përgjatë karrierës së tij në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneral Isufi ka realizuar detyra me përgjegjësi të lartë në hartimin e politikave dhe planeve të mbrojtjes, si dhe zbatimit të tyre në nivel strategjik dhe operacional”, thuhet në njoftim.
Deri tani, gjeneral Isufi ka shërbyer shef i komunikimit strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes. /Lajmi.net/