Kosova zbaton sanksionet e SHBA-së ndaj Wagner-it
Kosova ka përditësuar vendimin e saj për sanksione ndaj grupit rus të mercenarëve Wagner, duke i përshtatur ato me vendimin e Shteteve të Bashkuara, që në janar e shpallën Wagner-in “organizatë të rëndësishme kriminale transnacionale”.
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky grup mercenarësh, po “kërcënon dhe minon” sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
Qeveria miratoi plotësimin e vendimit të 16 majit të vitit 2022, që parashihte sanksione ndaj Wagner-it bazuar në një vendim të Këshillit të Bashkimit Evropian.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se pushtimi i Rusisë kundër Ukrainës, që nisi në shkurt të vitit 2022, “ka hasur në rezistencën e shtetit dhe popullit të Ukrainës”, por është dënuar nga shtetet demokratike.
“Departamenti amerikan i Thesarit më 26 janar të këtij viti ndërmori masa kufizuese ndaj grupit Wagner si një organizatë kriminale transnacionale, duke përfshirë edhe rrjetin global të Wagner-it, sektorin ushtarak të Rusisë dhe miqtë e [presidentit rus, Vladimir] Putinit. Këto sanksione u ndërmorën për të degraduar kapacitetet e Federatës Ruse për të zhvilluar luftë kundër Ukrainës, duke sanksionuar edhe tetë individë, 16 subjekte dhe katër avionë”, tha Bislimi.
“Për këtë arsye, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës propozon plotësim-ndryshimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës [të 16 majit 2022] për zbatim të sanksioneve ndërkombëtare të vendosura nga SHBA-ja, e që zbatohen nga ana e Republikës sonë në raport me obligimet ndërkombëtare kundër grupit Wagner si dhe ndaj bashkëpunëtorëve të tyre dhe kompanive të tjera që mbështesin fushatën ushtarake ruse”, shtoi ai.