Ish-ushtari i UÇK-së pritet të dëshmojë kundër krerëve, mbrojtja e Thaçit ngre alarmin për shkelje nga Prokuroria
Ish-ushtari i UÇK-së pritet të dëshmojë kundër krerëve, mbrojtja e Thaçit ngre alarmin për shkelje nga Prokuroria
Mbrojtja e ish-presidentit Thaçi në Hagë është vënë në kundërshtim të fortë të një veprimi të Prokurorisë së Specializuar.
Kjo e fundit, ka shtuar dy persona në Listën e Deshmitarëve. Kjo, nga mbrojtja po dyshohet se është bërë në kundërshtim me afatet ligjore të përcaktuara, shkruan lajmi.net.
“Siç është zgjeruar më poshtë, Prokuroria ka dështuar të japë njoftimin në kohë, të demonstrojë arsye të mirë për shtimin e vonuar të dy Dëshmitarëve të propozuar dhe materialeve të tyre të lidhura, gjë që është (3) shumë e dëmshme për Mbrojtjen”, thuhet në një parashtresë të mbrojtjes që e ka parë lajmi.net.
Ajo që përbën lajm për mbrojtjen e Thaçit, dhe që sipas saj shkon kundër rregullativave ligjore të përcaktuara, është fakti se Prokuroria ka qenë që nga fillimi në dijeni për rëndësinë e këtyre dëshmitarëve, teksa ka vendosur që jashtë afate t’i fus ata në listë.
Njëri nga këta dëshmitarë, siç përshkruhet nga avokati i Thaçit, Gregory Keohe, pretendohet të jetë një ish-pjesëtar i UÇK-së, që sipas atyre që thotë prokuroria, “është ndaluar, marrë në pyetje dhe është rrahur në një vend”.
“Informacioni që jepet demonstron rëndësinë e [REDAKTUAR] duhet të ketë qenë e dukshme për SPO-në për të paktën dy vjet. Së pari, Mbrojtja ka identifikuar se [REDAKTUAR] është intervistuar nga PSP në [REDAKTUAR] 2020. Transkriptet e kësaj interviste janë përfshirë në Njoftimin e Rregullës 102(3) të Prokurorisë dhënë Mbrojtjes në korrik 2021. Nën kolonën e titulluar ‘Rëndësia ’, PSP kishte deklaruar ‘Po’ për të gjitha këto dokumente. Duke qenë se [REDAKTUAR] pretendohet të jetë një ish-pjesëtar i UÇK-së, i cili u ndalua, u mor në pyetje dhe u rrah në një vend që përfshihet në aktakuzë, rëndësia e këtij dëshmitari duhet të ketë qenë e dukshme që të paktën në kohën e intervistës së Prokurorisë”, thotë tutje mbrojtja e Thaçit.
Mbrojtja e ish-presidentit sqaron tutje se njëri nga këta dëshmitarë pretendon se mund të flasë edhe për të ashtuquajturën “klimën e intimidimit të dëshmitarëve në Kosovë”.
Kjo sipas, avokatëve, është krejtësisht e parëndësishme dhe s’ka të bëj asgjë me aktakuzën dhe pretendimet ndaj krerëve të UÇK-së.
“Prokuroria pretendon se [REDAKTUAR] mund të dëshmojë për ndalimin, marrjen në pyetje dhe rrahjet e tij në [REDAKTUAR], të identifikojë shokët e burgosur (përfshirë një viktimë të vrasjes) dhe të kontribuojë me informacione për klimën e frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë. Edhe një herë, provat e pretenduara që mund të jepet nga [REDAKTUAR] nuk janë unike, dhe në fakt është përsëritëse e provave të tjera të ofruara nga Prokuroria. Së pari, tashmë ka disa dëshmitarë në listën e dëshmitarëve të Prokurorisë, të cilët gjithashtu janë ndaluar në [REDAKTUAR] dhe identifikojnë shokët e burgosur, si dhe anëtarët e UÇK-së që veprojnë në këtë zonë. Më tej, Prokuroria mbivlerëson rëndësinë e faktit se [REDAKTUAR), supozohet se përmbush një sërë rolesh. Ka dëshmitarë të tjerë në listën e dëshmitarëve të Prokurorisë, dëshmia e të cilëve shërben për qëllime të shumëfishta; për shembull, dëshmitarët që janë edhe dëshmitarë të bazës së krimit dhe ish-anëtar i UÇK-së. Prandaj, ky dëshmitar ofron dëshmi për ngjarjet në një vend të krimit, e cila tashmë është përshkruar në detaje nga dëshmitarët e tjerë, dhe për të cilën nuk ka asnjë lidhje të drejtpërdrejtë me të akuzuarin/it. Përsëri, shtimi i këtij dëshmitari nuk e avancon rastin e Prokurorisë. Fakti që dëshmitari mund të jetë “në gjendje të kontribuojë me informacione në bazë të klimës së frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë” është i parëndësishëm për akuzat”, thotë mbrojtja e Thaçit
Dokumenti në fjalë, i zbuluar para pak ditësh, i përket fundit të vitit të kaluar, mirëpo që është bërë publik së fundmi.
Gjyqi ndaj krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi do të fillojë më 3 prill.
Të njëjtën ditë, në Hagë, nga bashkëatdhetarët,do të organizohet protestë paqësore në përkrahje të krerëve të luftës. /Lajmi.net/