Vuçiq a po zbulon sekretin, ja me cilin politikan të Kosovës dëshiron ta nënshkruaj marrëveshjen?!
Elvis Hoxha nga Lëvizja Vetëvendosje, ka ironizuar me ish-udhëheqësit e Kosovës Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa. Ai ka thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, nuk po e nënshkruan “Asociacionin që po ia jep Albin Kurti, pasi dëshiron të nënshkruajë vetëm me Thaçin dhe Mustafën”, përcjell Bota sot.
“Nga burime të sigurta, Vuçiqi dhe të gjithë serbët e duan asociacionin që u jep Albini. Por, Aleksandari nuk nënshkruan. Ai dëshiron të nënshkruajë vetëm me Hashën dhe me Isën. Ia paska treguar sekretin një këshilltari të tij të afërt. I pëlqente shumë kur nënshkruante me ata të dy. Qeshnin më shumë, ishin më të kënaqur, i shtrëngonin duart më fort, nënshkruanin shumë marrëveshje brenda ditës, kalonin më shpejt nga nënshkrimi në nënshkrim, ndërronin muhabet. Nuk rrinin 12 orë me një muhabet. Kënaqeshin tu nënshkru e t’u bo foto”, ka shkruar Hoxha në një postim në Facebook.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë në formë shakaje se ka dhimbje në dorën e djathtë, andaj nuk mund të nënshkruajë, i pyetur sot nëse do ta nënshkruajë marrëveshjen e arritur të shtunën në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë.
Vuçiqi ka thënë se kjo dhimbje do vazhdojë edhe për katër vitet e ardhshme, duke lënë të nënkuptohet se ai nuk do të nënshkruajë marrëveshje normalizimi me Kosovën, gjatë mandatit të tij si president. “Kam dhimbje të padurueshme në dorën e djathtë, vetëm me të mund të nënshkruajë dhe kjo dhimbje do të vazhdojë edhe katër vitet e ardhshme”, ka deklaruar ai./Bota Sot