Personat me Down Sindrome, vazhdojnë të përballen me sfida të shumta
Personat me Down Sindrome, vazhdojnë të përballen me sfida të shumta
Në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Down Sindrome, kjo kategori e qytetarëve në Kosovë vazhdon të përballen me sfida të shumta.
Prindër dhe drejtues të Shoqatës “Down Sindrome Kosova”, kanë bërë të ditur se sfida me madhe është edukimi, ofrimi i shërbimeve sociale dhe punësimi.
Në Kosovë personat me down sindromë vazhdojnë të përballën me sfida të shumta, si pasojë e mos zbatimit të legjislacionit në fuqi.
Nga pak ata persona me down sindromë që janë të punësuar është Emine Hasani në Ferizaj, e cila punon në një kopsht. Ajo në një përgjigje për Radio Kosovën tha se është e kënaqur me punë që bën.
“Punën e kam nisur në shtator të vitit të kaluar. Mirë kaloj me fëmijë dhe kolege. Jam shumë e lumtur me të gjitha. Edhe me punën që kam. Unë shkoj edhe në shoqatë, ku ndreqim kartolina. Kam qejf që shokët edhe shoqet t’i shoh sikur unë, duke punuar”, thotë ajo.
E, Aldi Hoxha është personi i vetëm i punësuar në sektorin publik. Në një përgjigje për Radio Kosovën ai ka treguar për punën që bënë në Ndërmarrjen Publike “Trafiku Urban”.
“Unë po kënaqem shumë në punë. Nuk e kam vështirë të punoj. Punoj që nga viti 2019 këtu në “Trafikun Urban”. Punoj me kompjuterë. Kam një listë ku shënoj të gjithë mysafirët. Fillimisht ua marr letërnjoftimin. Pastaj e shënoj emrin, mbiemrin, orën e hyrjes e të daljes dhe datën. Kënaqem edhe me kolegë.”, tha ai.
Drejtoresha e Shoqatës “Down Sindrom Kosova”, Sebahate Beqiri, flet për sfidat me të cilat përballet kjo kategori e personave, e që janë të shumta. Ajo në një përgjigje për Radio Kosovën tha se edukimi dhe punësimi janë ndër sfidat kryesore. Për sa i përket punësimit, ajo tha se edhe pse ligji në fuqi e parasheh punësimin e këtyre personave, ai nuk po gjen zbatim, pasi që nga 16 persona me down sindromë, të punësuar në sektorë të ndryshëm, vetëm një prej tyre është i punësuar në sektorin publik.
“Personat më down sindromë përballën me sfida të shumta si edukimi dhe punësimi. Legjislacioni garanton gjithëpërfshirje dhe integrim për të gjithë fëmijët brenda institucioneve të rregullta edukativo-arsimore. Por ende vazhdon të mbetet shumë sfiduese mungesa e resurseve brenda këtyre institucioneve. Ndërsa, për sa i përket punësimit, Ligji në terren nuk gjen zbatim. Ne nga numri i përgjithshëm që i kemi të punësuar e që janë 16 persona, vetëm një nga ta e kemi të punësuar në sektorin publik.”
Beqiri tregon edhe për sfidat që përballët si nenë e një fëmijë me down sindromë.
“Nuk është e lehtë të jesh nënë e një fëmijë me down sindromë. Sfidë është ballafaqimi më pjesën e jashtme, kërkesat nga shkolla që fëmija nuk ka qëndruar në shkollë, na duhen asistentë për punën me këta fëmijë. Kërkon shumë energji dhe përkushtim. Të gjitha nënat të cilat kanë fëmijë me nevoja të veçanta janë heroina.
Se sfidat janë të shumta në procesin edukativo- arsimor më të cilat përballën këta fëmijë e thonë edhe psikologët. Psikologu Kushtrim Maloku, i tha Radio Kosovës se mungesa e stafit mbështetës nëpër shkolla, është sfidë për edukimin e këtyre fëmijëve.
“Është sfidë e madhe edukimi i këtyre fëmijëve se mungojnë ekipet multidisiplinare në shkolla siç është: pedagogu, psikologu, mësuesi mbështetës, asistenti ose ndonjë asistent vullnetar që të punojnë këta fëmijë. Është shumë sfidë e madhe, jashtëzakonisht sfidë e madhe.”
Në Kosovë janë të regjistruar mbi 980 persona me down sindromë.
Dita Ndërkombëtare e Personave me Sindromën Down – 21 Marsi, shënohet që nga 19 dhjetor 2011, datë e caktuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.