Kurti: Qeveria e Kosovë e ka prioritet mbrojtjen sociale për qytetarët tanë
Kurti: Qeveria e Kosovë e ka prioritet mbrojtjen sociale për qytetarët tanë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në konferencën e Dytë Nacionale për Shënimin e Ditës Botërore të Punës Sociale në Kosovë, me temën “Profesionistët e punës sociale në sistemin e mbrojtjes sociale”.
Kurti shprehu falënderim e mirënjohje për kontributin e pamohueshëm të punonjësve socialë duke thënë se realizimi i të drejtave sociale të qytetarëve, ndërtimi dhe mirëmbajtja e sistemeve të mbrojtjes sociale, kërkon angazhim aktiv të punonjësve socialë.
“Punonjësit socialë, me angazhimin e tyre të përditshëm mbështesin qytetarët në ballafaqimin me problemet sociale dhe në tejkalimin e tyre. Njëkohësisht i shërbejnë edhe vendit për të përparuar në aspektin social”, u shpreh ai.
Teksa përmendi vëmendjen jo të duhur ndaj Qendrave për Punë Sociale në të kaluarën, kryeministri tha se janë 38 qendra për Punë Sociale anë e mbanë Kosovës në të gjitha komunat e saj dhe ato ofrojnë më shumë se 70 shërbime për qytetarët.
“Në kuadër të Agjendës Legjislative kryeministri veçoi projektligjin për shërbimet sociale, që parasheh reformë të thellë të Qendrave për Punë Sociale. Për këtë, shtoi ai, është bashkëbiseduar me shumë nga të pranishmit e sotëm në takimin e muajit të kaluar në Kryeministri. E Grupi punues tashmë po bën një analizë të detajuar të gjendjes në këto qendra, në raport me përgjegjësitë, sfidat dhe kapacitetet njerëzore dhe profesionale”, deklaroi kryeministri.
Kurti tha se bashkë po synojmë fuqizimin e qendrave përmes shtimit të kapaciteteve, obligimin për profilizimin e stafit në përputhje me nevojat e qytetarëve.
Qeveria e Kosovës, krahas politikave zhvillimore, e ka prioritet mbrojtjen sociale për qytetarët tanë, me programe adekuate dhe sidomos të qëndrueshme e afatgjate.
Programi qeveritar përqendrohet në drejtësi sociale, në ndryshimin e parakushteve për transformimin e shoqërisë. Kryeministri tha se këtë qëllim do ta arrijmë vetëm nëse e arrijmë për të gjithë, pa privilegjuar ndokënd që bëhet diskriminim për të tjerët.
Ai po ashtu rikujtoi që para katër ditëve është ekzekutuar mbështetja për punëdhënësit të cilët i kanë rritur pagat e 16,996 punëtorëve në sektorin privat, masë të cilën kemi subvencionuar 50% të rritjes së pagës për 3 muajt e parë. Kjo shënon kompletimin e të gjitha masave të Pakos për Përballje me Inflacionin.
Pakoja për Ringjallje Ekonomike dhe ajo për Përballje me Inflacionin që ka zbatuar qeveria jonë, kanë qenë gjithëpërfshirëse dhe kanë ndihmuar familjet me buxhet të rënduar. Mbi 688 mijë qytetarë janë mbështetur nga shteti./Lajmi.net/